E rëndë në Gjirokastër, dyshohet se abuzoi seksualisht me vajzën e mitur të partneres, pranga njerkut

26/01/2026 12:27

Është arrestuar nga Policia e Gjirokastrës Klement Kursa, 39 vjeç, nga Dibra me banim të përkohshëm në Gjirokastër.

Arrestimi i tij ka lidhje me dyshimet se ka abuzuar seksualisht me një vajzë 12-vjeçare, e cila është bija e bashkëjetueses së 39-vjeçarit në Gjirokastër.

Zbulimi i kësaj ngjarjeje u bë nga ana e Policisë së Gjirokastrës përmes metodave hulumtuese, ndërkohë që deri tani nuk ka një denoncim konkret nga ana e 12-vjeçares apo e të ëmës. Policia e Gjirokastrës është duke kryer veprimet për këtë ngjarje të rëndë.

Nga hetimet rezulton se Klement Kursa ka qenë i arrestuar pesë ditë më parë në një aksion blic nga Policia e Dibrës dhe ajo e Gjirokastrës, pasi ai, së bashku me të vëllanë binjak, dyshohet të jenë autorë të një vrasjeje të ndodhur në Dibër në vitin 2018.

Në aksionin policor të Gjirokastrës dhe Dibrës më 18 janar, gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e binjakëve dibranë në Gjirokastër, u gjetën dhe u sekuestruan: 3 armë zjarri (2 kallashnikovë dhe 1 pushkë), 1 armë e ftohtë (thikë), 3 krehëra, municion luftarak, 1 maskë dhe 3 aparate celularë.

Gjykata e Gjirokastrës e la të lirë Klement Kursën një javë më parë në seancën e vlerësimit të masës së arrestit, ndërsa sot është arrestuar sërish për dyshime për ngacmim seksual ndaj të bijës së bashkëjetueses gjirokastrite.

Klement Kursa dhe vëllai i tij binjak dyshohet se u larguan nga Dibra për shkak të gjakmarrjes dhe u strehuan në Gjirokastër.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB