Teksa SPAK vijonte zbërthimet e komunikimeve në rrjetin SKY ECC dhe rëndonte pozitën penale pavarësisht dënimit në mungesë me 10 vite, 39-vjeçari Bujar Sefa që njihet edhe me mbiemrin Xaka zgjodhi Emirate e Bashkuara arabe për t’iu fshehur drejtësisë.
Por planet këtë herë nuk funksionuan pasi ai u lokalizua dhe menjëherë nisën procedurat për ta ekstraduar në vendin tonë ku do të përballet me 5 vepra penale. Sefa akuzohet se në vitin 2020 ka qenë drejtuesi i një grupi kriminal që në rrethinat e Krujës kultivoi Kanabis Sativa.
Më tej zbërthimi i komunikimeve në rrjetin SKY ECC zbuloi se ai ishte pjesë e një grupi prej 14 personash që dyshohet se trafikonin kokainë dhe mariuanë në 3 linja trafiku. E para ishte nga vendet e origjinës drejt Holandës ndërsa dy linjat e tjera lidheshin me trafikun e mariuanës me pikënisje nga Shqipëria transit në Malin e Zi me destinacion final Gjermaninë ndërsa linja e 3 e çonte mariuanën shqiptare drejt Turqisë.
Hetimi për këtë grup kriminal ka nisur që në vitin 2024 dhe falë bashkëpunimit me autoritetet e huaja dhe shkëmbimit të letërporosive me Holandën, Turqinë dhe Malin e i u arrit finalizimi i operacionit. Gjatë operacionit dhjetorin e një viti më parë u vunë në pranga 7 persona, ndërsa 3 të tjerëve mes tyre dhe vëllai i Bujarit, Islami iu komunikua masa në burg ku vuanin dënimin për vepra të tjera penale.
Mes të arrestuarve ishte dhe Rexhep Rraja djali i ish-deputetit të PS Rahman Rraja. Në pranga po ashtu ranë dhe kushërinjtë e tij Gazmir, Përparim rraja. Gjykata autorizoi edhe 11 kontrolle ambientesh, mes tyre edhe të fisit Rraja, u sekuestruan 430 mijë euro shuma në lek dhe paund, 1 armë zjarri me municion, dhe sende të tjera që mund ti vlejnë hetimit.
Top Channel