Pamje të frikshme nga Selaniku, shpërthen tubacioni i ujit në qytet, disa të plagosur
Pothuajse 9 ton kokainë u kapën në një gjysmë-nëndetëse në Portugali gjatë një operacion anti-droge, duke e bërë atë sasinë më të madhe të sekuestruar ndonjëherë.
Si pjesë e operacionit “Adamastor”, autoritetet portugeze sekuestruan rreth 300 pako kokainë, ekuivalente me rreth nëntë ton, të cilat po transportoheshin nga një anije gjysmë-nëndetëse që u “kap” në det të hapur, 230 milje detare larg Azore.
Sipas autoriteteve, ngarkesa mund të sillte “qindra miliona euro” për trafikantët. Anija gjysmë-nëndetëse mbante gjithsej 300 pako, por rreth 35 u humbën në det kur anija u fundos.
Në bord ndodheshin tre kolumbianë dhe një venezuelian, të cilët u shpëtuan para se të fundosej dhe u arrestuan nga autoritetet lokale. Sipas Policisë Gjyqësore Portugeze (PJ), personat e arrestuar i përkasin një rrjeti kriminal dhe do të silleshin për marrje në pyetje në Ponta Delgada në Azore.
Autoritetet nuk specifikuan destinacionin përfundimtar të ngarkesës, por vunë në dukje se droga nuk ishte nisur për një vend të vetëm, por për shpërndarje të gjerë në Evropë.
Policia Gjyqësore njoftoi se operacioni u krye në bashkëpunim me Marinën dhe Forcat Ajrore, me qëllim luftimin e trafikut detar ndërkontinental të drogës. Ky është sekuestrimi më i madh i kokainës i regjistruar ndonjëherë në Portugali dhe një nga më të mëdhenjtë në Evropë.
Në një konferencë për shtyp, drejtori i Njësisë Kombëtare për Luftimin e Trafikimit të Drogës (UNCTE), Artur Vaz, deklaroi se u gjetën 265 pako, me sasinë totale të vlerësuar në afërsisht nëntë ton kokainë.
Operacioni u mbështet nga autoritetet e Shteteve të Bashkuara (DEA, JIATF-S) dhe Mbretërisë së Bashkuar (NCA), në kuadër të MAOC-N, dhe u krye në kushte jashtëzakonisht të vështira atmosferike.
Top Channel