Gjykata Themelore e Prizrenit ka urdhëruar një muaj paraburgim për 23 të dyshuar lidhur me dyshimet për manipulim të votave të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të dhjetorit.
Ata dyshohen për një sërë veprash penale lidhur me zgjedhjet e 28 dhjetorit, përfshirë veprën penale kundër të drejtës së votimit, kanosjen, marrjen e ryshfetit dhe dhënien e ryshfetit, tha gjykata në një njoftim të dielën.
Të dyshuarit, të arrestuar të premten gjatë një aksioni të gjerë në rajonin lindor të vendit, janë komisionerë dhe vëzhgues që kanë marrë pjesë në numërimin e votave.
Gjykata tha se 21 nga 23 të dyshuarit – të identifikuar vetëm me inicialet O.Sh., V.B., A:K., B.B., A.H:, A.K., Gj.Sh., L.K., B.Xh., E.G., I.P., I.H., A:D., dhe B:B., D.Sh., J.H., S.B:, A.L., Q.K., A.V., M.J. – dyshohen secili për falsifikim të rezultatit të votimit.
Ndërsa, një e dyshuar tjetër, me inicialet A.V., dyshohet për falsifikim të rezultateve të votimit dhe marrje të ryshfetit. Një vëzhgues dyshohet për kanosje dhe dhënie të ryshfetit.
Vendimi ndaj tyre vjen pas një aksioni të gjerë që autoritetet e kryen në Prizren të premten, ku i arrestuan 109 të dyshuar për manipulim të votave të zgjedhjeve për Kuvendin e Kosovës.
Javën e kaluar, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve u detyrua ta nisë rinumërimin e plotë të votave, pasi kishte gjetur mospërputhje në votat për kandidatët për deputetë.
Kur rinumërimi ka përfunduar në pothuajse gjysma e vendvotimeve, del se rreth 80 mijë vota janë të pasakta, sipas Eugen Cakollit nga organizata joqeveritare, Instituti Demokratik i Kosovës.
Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prizren, Petrit Kryeziu, tha të premten se në mesin e të arrestuarve në Prizren kishte edhe familjarë të kandidatëve për deputetë.
Sipas tij, një manipulim i tillë nuk ka mundur të ndodhte pa një kompromis mes komisionerëve të katër partive më të mëdha politike.
“Po flasim për komunën e Prizrenit që janë shtuar hiç më pak se 40.497 vota dhe janë hequr hiç më pak se 27.520 vota. Pra, diferenca totale e keqpërdorimeve është 68.017 vota”, tha Kryeziu.
Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, njëherësh lider i partisë në pushtet Lëvizja Vetëvendosje, bëri thirrje të shtunën për hetim gjithëpërfshirës dhe ndëshkim për personat e dyshuar për manipulim të votave brenda partive politike.
“Komisionerë e individë, që në mënyrë klandestine, janë përfshirë në manipulime votash brenda subjekteve politike duke dëmtuar kolegë e subjekte politike nuk kanë amnisti”, shkroi Kurti në Facebook.
Derisa rinumërimi i votave të zgjedhjeve të parakohshme po vazhdon në gjithë Kosovën dhe tashmë ka arritur në gjysmë të rrugës, dyshimet dhe hetimet për manipulim të votave janë duke u zgjeruar njëherazi edhe në pjesë të tjera të vendit.
Pas Prizrenit, autoritetet janë duke kryer hetime tani edhe në Ferizaj dhe në Malishevë.
Në Kosovë manipulimi i votave është vepër penale e dënueshme me burgim.
Megjithatë, së voni organizata joqeveritare, ÇOHU, e publikoi një hulumtim që tregoi se mbi 90 për qind e rasteve për manipulime zgjedhore përfundojnë me dënime me kusht ose gjoba.
Shumica e kandidatëve për deputetë të cilëve u janë hequr më së shumti vota gjatë rinumërimit, e kanë mohuar të kenë pasur gisht në keqpërdorim dhe kanë thënë se e dënojnë këtë dukuri./REL
Top Channel