Stuhia e fuqishme dimërore godet SHBA-në, rreth 800 mijë familje pa energji elektrike, rekord fluturimesh të anuluara

25/01/2026 18:18

Një stuhi e madhe dimërore ka përfshirë Shtetet e Bashkuara, duke u shtrirë nga Malet Shkëmbore jugore në perëndim derinë verilindje, ndërsa pothuajse 800 mijë familje kanë mbetur pa energji elektrike.

Sipas Shërbimit Kombëtar të Motit, bora e dendur, breshëri dhe shiu po kërcënojnë rreth 180 milionë persona, më shumë se gjysmën e popullsisë së SHBA-së. Në total, 37 shtete janë prekur nga stuhia.

Meteorologët paralajmërojnë se akulli dhe bora do të shkrihen shumë ngadalë, duke e zgjatur rrezikun për disa ditë. Sipas Administratës Kombëtare Oqeanike dhe Atmosferike, stuhia është e pazakontë për shkak të shtrirjes shumë të gjerë – mbi 3 mijë kilometra dhe të ftohtit ekstrem që do të lërë pas.

Situata ka paralizuar edhe transportin ajror. Mbi 10 mijë fluturime janë anuluar dhe rreth 8 mijë janë shtyrë, duke shënuar nivelin më të lartë të anulimeve ditore që nga pandemia e COVID-19.

Të paktën 17 shtete kanë shpallur gjendje të jashtëzakonshme. Autoritetet u kanë bërë thirrje qytetarëve të qëndrojnë në shtëpi dhe të shmangin udhëtimet e panevojshme.

Guvernatorë të disa shteteve paralajmërojnë se kushtet pritet të jenë ndër më të rëndat e viteve të fundit, me rrezik për aksidente, ndërprerje të shërbimeve dhe dëme të mëdha infrastrukturore.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB