Dinamo nuk e konsideron të drejtë humbjen në Elbasan dhe reagon ndaj arbitrit Xhaja: Arbitri mbylli sytë…ne duam vetëm drejtësi
Trajneri i Dinamos, Ilir Daja, ka shpërthyer në reagim pas humbjes ndaj Elbasanit, duke theksuar një gabim të madh të gjyqtarit Xhaja dhe arbitrit të VAR-it, Barjamaj, për një ndërhyrje të dyshimtë të Lilës ndaj Ismailit. Daja mendon se Lila duhej të ndëshkohej me karton të kuq për këtë ndërhyrje.
Në prononcimin e tij pas ndeshjes , Daja u shpreh i zhgënjyer dhe kritikoi mënyrën se si u trajtua situata, duke theksuar se ajo ishte një ndërhyrje e pasaktë që mund të kishte sjellë pasoja më të rënda për lojtarin e tij: “Në minutën e 44, Lila bëri një ndërhyrje të fortë, që ishte një goditje në nivelin e gjurit. Shyqyr që nuk e goditi në gjunjë, pasi mund ta linte jashtë futbollit,” tha Daja.
Ai gjithashtu foli për vështirësitë që ekipi po kalon për shkak të mungesës së lojtarëve të rëndësishëm dhe situatës në fushë. “Në këtë periudhë, po përpiqemi të përdorim të gjithë lojtarët në dispozicion, por mungesa e disa pozicioneve natyrale si mesfushori qendror ka ndikuar në performancën tonë,” shtoi ai.
Në fund, Daja e mbylli intervistën duke komentuar mbi gjendjen fizike të disa lojtarëve, si Qardaku dhe Lorran, të cilët kishin pasur shqetësime pas ndeshjeve të kaluara dhe nuk mundën të ishin në formën optimale për këtë takim.
“Edhe pse përdorëm disa lojtarë të lënduar, ne do të vazhdojmë të punojmë dhe të përmirësojmë performancën tonë, veçanërisht pas rikthimit të lojtarëve si Qefalija,” përfundoi Daja.
Top Channel