Në fermat shqiptare po prodhohet qumësht i kontaminuar me aflatoksinë, një toksinë e rrezikshme kancerogjene, por përgjegjësia nuk bie mbi fermerët.
Problemi, sipas ekspertëve dhe blegtorëve, qëndron tek Ministria e Bujqësisë dhe AKU, të cilat nuk bllokojnë që në fillim misrin e importuar nga Serbia, i cili mbart toksinën. Kur ky misër konsumohet nga lopët, aflatoksina kalon në qumështin që arrin tek konsumatori.
Kjo ka bërë që industria e përpunimit të qumështit të refuzojë produktin vendas për të garantuar sigurinë ushqimore, ndërsa çmimi për fermerët që punojnë me cilësi është ulur me 10 lekë për litër.
“99% e aflatoksinës vjen nga misri. Serbia e shet misrin e kontaminuar te më të pafuqishmit, ose Shqipëri, sepse në Itali dhe Gjermani ka kontrolle rigoroze. I tërë problemi është institucional, nuk është i blegtorit apo i fabrikave”, u shpreh Dashamir Çela.
Fermerët tregojnë se qumështi i tyre mbetet i grumbulluar pa u shitur, sepse materialet ushqimore që lejon shteti të hyjnë janë me aflatoksinë.
“Nëse shteti do të mendonte për qumështin tonë, ne do ta merrnim misrin aty ku është i sigurt. Tani qumështi ngelet pa u shitur”, tha Sulë Metushi.
Gjatë vitit 2025, Shqipëria importoi 8 milionë litra qumësht nga Serbia, Austria, Hungaria dhe Kosova, i cili është më i lirë se qumështi vendas nga zona si Fier dhe Lushnje. Kjo, sipas fermerëve, ndodh sepse ata janë më të pakësuar me subvencione se kolegët e tyre në rajon.
“Janë shpenzuar miliona euro jashtë vendit dhe nuk e dimë saktësisht çfarë po hamë. Qumështi i importuar thuhet i freskët, por i vërteti duhet të jetë ai i fermave tona”, tha Çela.
Fermerët paralajmërojnë se nëse situata vazhdon dhe fabrikat refuzojnë qumështin vendas, kjo nuk dëmton vetëm familjet rurale, por edhe konsumatorët, duke krijuar varësi ndaj importit dhe çmime më të larta.
Top Channel