Agjentja e FBI-së që nisi hetimin fillestar për të sulmin në Minneapolis, ku humbi jetën Renee Good, ka dhënë dorëheqjen.
Sipas CNN, menjëherë pasi agjentja hapi hetimin për shkelje të të drejtave civile, ajo u urdhërua ta riklasifikonte çështjen si hetim për “sulm ndaj oficerit”. Paralelisht, FBI-ja i ndaloi Byrosë së Hetimit Kriminal të Minesotës (BCA) të marrë pjesë në hetim.
Dorëheqja vjen në një kohë kur FBI-ja po përballet me një tjetër valë largimesh të agjentëve me përvojë në disa shtete.
Burime të shumta i thanë CNN se disa prej personave që po largohen u përballën me masa pas një rishikimi të sistemit të brendshëm të mesazheve të FBI-së, ku u zbuluan komente negative ndaj presidentit Donald Trump.
Largimet janë pjesë e një përpjekjeje të vazhdueshme të drejtuar nga drejtori i FBI-së, Kash Patel, për të përjashtuar individë të përfshirë në hetime të mëparshme, përfshirë ato që lidhen me Trumpin. Në këtë proces janë përfshirë edhe zyrtarë të lartë të FBI-së në New Orleans, Miami dhe qytete të tjera.
Kjo valë e re përjashtimesh vjen disa muaj pasi Patel u padit nga tre ish-zyrtarë të lartë të FBI-së, mes tyre ish-drejtori në detyrë i byrosë në fillim të administratës së dytë të Trumpit, të cilët pretendojnë se Patel ishte urdhëruar të shkarkonte agjentë të përfshirë në hetime të mëparshme ndaj Trump, përndryshe do të shkarkohej vetë.
Gjatë seancës së konfirmimit në janar të vitit të kaluar, Patel u tha ligjvënësve se askush në FBI “nuk do të shkarkohet për caktime çështjesh” dhe se ai “nuk do të kthehet pas”.
“Nuk do të ketë politizim në FBI. Nuk do të ketë veprime hakmarrëse”, deklaroi ai.
Megjithatë, këtë verë Shoqata e Agjentëve të FBI-së, një organizatë jofitimprurëse që mbështet agjentët aktualë dhe ish-agjentët, paralajmëroi ligjvënësit me anë të një letre se Patel po merrte vendime për personelin pa respektuar garancitë e procesit të rregullt ligjor të parashikuara nga ligji federal.
“S’ka pasur akuza të mëparshme për shkelje ndaj asnjërit prej agjentëve të prekur, as njoftim apo mundësi për t’u mbrojtur”, thuhej në letër, “edhe pse politika e konsoliduar e FBI-së e kërkonte qartë një gjë të tillë.
Top Channel