LIVE/ PD protestë me molotovë para Kryeministrisë, policia përgjigjet me gaz lotsjellës. Turma zhvendoset te Kuvendi. Berisha: Jemi në kilometrin e fundit të fitores Partia Demokratike ka organizuar protestën e dytë kombëtare përpara Kryeministrisë.
I pari që e mori fjalën në podium ishte zv/kryetari i PD-së, deputeti Luçiano Boçi, i cili i bëri thirrje protestuesve që synimi i opozitës është të rrëzojë qeverinë.
“Sot nuk jemi mbledhur për spektakël politik. Nuk jemi mbledhur sot as për t’u parë me urrejtje nga perdet dhe dritaret e frikës së pushtetit. Të dashur miq, ne jemi këtu sepse ne vlerësojmë jetën, ne jemi këtu sepse na ka thirrur dashuria e familjes, adhurimi për zotin dhe kombin, na ka thirrur dinjiteti ynë, rezistenca, shpirti dhe zemra opozitare. Ne jemi thirrur këtu nga guximi dhe detyra jonë për të luftuar deri në fund. Ne jemi këtu sepse Shqipëria jonë nuk e duron më faktin të drejtohet nga një njeri, i cili e ka kthyer shtetin në pronë private.
E ka kthyer qeverinë në klub të mbyllur qejfi e ahengu. kjo ndërtesa që kemi në krah, nuk është Kryeministria e shtetit. Pas atyre blindave që duhet t’i shembim me çdo kusht, nuk është pushteti, por frika e pushtetit. Ne duhet ta shembim këtë qeveri. Shembja e tyre është detyrë para historisë, është detyrë para gjithë qytetarëve dhe para gjithë shqiptarëve. Prandaj jemi sot këtu, me një numër kaq të madh protestuesish”, tha Boçi.
Top Channel