“U krekos me ftesën e Trump për Bordin e Paqes”/ Protesta kombëtare para Kryeministrisë, Berisha: Ramën nuk e pranonte salla në Davos
Ka nisur protesta e dytë kombëtare e Partisë Demokratike përpara Kryeministrisë.
Kryedemokrati Sali Berisha ka kërkuar nga qytetarët që sot “t’i bëjnë gjyqin kryeministrit”, duke marrë pjesë në protestën e thirrur në orën 17:00 para Kryeministrisë.
Pak orë para protestës, Berisha u ka bërë thirrje të rinjve që të “ngrihen në lartësinë e këtij misioni”.
“I bëj thirrje të rinjve të ngriheni në lartësinë e këtij misioni. Sot ju keni shansin e madh të riktheni edhe njëherë shpresën, besimin, lirinë, të drejtat, të ardhmen tuaj dhe të shqiptarëve.”-shkruan Berisha.
Përmes protestës PD kërkon largimin e Edi Ramës, ndërsa detajet e këtij tubimi po mbahen ende diskrete.
Policia e Tiranës ndërkohë ka merr masa, duke nxjerrë në terren 1300 forca policore për ruajtjen e rendit dhe sigurisë politike. Kryeministria nga ana tjetër ka fortifikuar dyert dhe është e rrethuar. Pritet të ketë prezencë dhe të zjarrfikësve dhe ambulancës sipas protokollit.
Pak minuta para nisjes së protestës, lideri i PD-së, Sali Berisha shkoi në seli dhe nga aty, u nis me simpatizantët e tij drejt Kryeministrisë.
Sali Berisha u ngjit në podiumin e vendosur përpara Kryeministrisë në protestën e dytë kombëtare nga opozita.
“Sot ne jemi në kilometrin e fundit me ndihmën e Zotit, asgjë s’do të na ndalë drejt fitores tonë. Sot ne jemi para triumfit të madh. Shumëkujt triumfi mund t’i duket shumë larg, kur sheh udhëkryqin në të cilin ndodhet Shqipëria. Por miqtë e mi, opozita që kemi bërë vitet e fundit, ka qenë maratonë jo e lehtë. Një karvan maratonë e mbushur me dhunën e narko-shtetit. Por edhe një qëndresë stoike, sakrifica të dhimbshme nga ne. Ishin vite të një përballje të egër”, tha ndër të tjera Berisha.
17:42 Nis protesta përpara Kryeministrisë, Luçiano Boçi: Duhet ta shembim këtë qeveri
Partia Demokratike ka organizuar protestën e dytë kombëtare përpara Kryeministrisë. I pari që e mori fjalën në podium ishte zv/kryetari i PD-së, deputeti Luçiano Boçi, i cili i bëri thirrje protestuesve që synimi i opozitës është të rrëzojë qeverinë.
17:00 Nis protesta e Partisë Demokratike, Sali Berisha mbërrin në Kryeministri
Partia Demokratike do të mbajë këtë të shtunën protestën e dytë kombëtare përpara Kryeministrisë. Vetëm pak minuta nga fillimi i protestës, lideri i PD-së, Sali Berisha, ka mbërritur në ambientet e selisë. Nga aty, ai do të niset së bashku me simpatizantët e tij drejt Kryeministrisë.
Top Channel