Një 2-vjeçare arrestohet nga autoritetet federale të emigracionit, ‘shpërthejnë’ reagimet në SHBA Në mesin e një tensionimi të ri të marrëdhënieve transatlantike, gjithmonë e më shumë po shtrohet pyetja nëse Europa mund të mbrohet vetë, pa Shtetet e Bashkuara.
Kjo pyetje po rikthehet fuqishëm në qendër të debatit politik dhe të sigurisë në Bashkimin Europian, teksa po shtohen dyshimet për angazhimin afatgjatë amerikan në mbrojtjen e kontinentit të vjetër. Diskutimi u rindez pas deklaratave të kancelarit gjerman Merz dhe presidentit francez Emmanuel Macron, i cili pritet që brenda pak javësh të mbajë një fjalim kyç mbi përditësimin e doktrinës bërthamore franceze. Franca është i vetmi vend i BE-së që zotëron armë bërthamore.
Doktrina e saj parashikon përdorimin e armës atomike në rast se kërcënohen “interesat jetike” të vendit, një formulë kjo që historikisht është mbajtur e paqartë për arsye mbrojtjeje. Megjithatë, burime politike sugjerojnë se Macron do të sqarojë edhe më hapur se në këto interesta, përfshihet edhe siguria e aleatëve europianë. Lëvizja e tij vjen në një kohë kur zëvendëspresidenti amerikan JD Vance dhe vetë Donald Trump kanë kritikuar ashpër Europën për mungesë investimesh në mbrojtje, duke vënë në pikëpyetje mbështetjen amerikane. Tashmë, sipas ekspertëve, status quo-ja ka përfunduar, e këtu përfshihet edhe fusha bërthamore.
Verën e kaluar, Franca dhe Britania e Madhe deklaruan për herë të parë se forcat e tyre bërthamore, megjithëse të pavarura, mund të koordinohen. Kështu, arsenali francez me rreth 290 koka bërthamore dhe ai britanik me mbi 220, po konsiderohen pjesë e një vizioni të përbashkët europian. Deri vonë, vendet europiane kishin refuzuar çdo ide për bashkëpunim bërthamor, për shkak të mbështetjes tek “ombrella” amerikane dhe frikës nga dominimi francez. Megjithatë, mbetet një pikëpyetje e madhe politike: zgjedhjet presidenciale franceze të vitit 2027. Një fitore e Marine Le Pen ose Jordan Bardella mund të ndryshojë rrënjësisht rolin e Francës si shtyllë e mbrojtjes europiane kundër Rusisë.
Top Channel