109 komisionerët që manipuluan me mbi 68 mijë vota në Prizren po përballen me drejtësinë, ndërkohë që rinumërimi që po vazhdon në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve po nxjerrë keqpërdorime në komunat e tjera.
Të dhënat e përditësuara nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve tregojnë një skemë manipulimi të votave edhe në Podujevë.
Deri të shtunën janë rinumëruar 11% e vendvotimeve të kësaj komune dhe tregohet se është manipuluar me 1105 vota.
Në krye të këtij keqpërdorimi është lista zgjedhore e Lëvizjes Vetëvendosje me 1070 vota të manipuluara, prej shumica për ministrin në detyrë të Mbrojtjes, Ejup Maqedoncin.
Kur janë numëruar vetëm 13 nga 110 vendvotimet e Podujevës, ministrit në detyrë të Mbrojtjes i janë shtuar 288 vota më shumë se sa që kishte marrë nga qytetarët.
Në Listën e Vetëvendosjes 246 vota i janë shtuar me manipulim edhe kandidatit për deputet Vendenis Lahut.
126 vota u manipuluan për kandidatët për deputetë të PDK-së, 45 për ata të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe 44 vota iu shtuan kandidatëve të Lidhjes Demokratike të Kosovës, ndonëse nuk ishin votuar nga qytetarët.
Ndërkohë, identifikimi i komisionerëve që numëruan votat në Malishevë ka nisur të premten me urdhër të Prokurorisë Themleore të Gjakovës, për shkak se gjatë rinumërimit është vërejtur manipulim me 5704 vota.
Sipas të dhënave të përditësuara nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, 3,273 vota iu shtuan kandidatëve të Partisë Demokratike të Kosovës, ndonëse të njëjtët nuk i kishin marrë nga qytetarët.
Përfituesi më i madh i këtij manipulimi është Gamend Maliqaj, të cilit në numërimin në Qendrën Komunale të Numërimit i ishin shtuar 927 vota më shumë se sa kishte marrë realisht.
Përmes manipulimit, 728 vota i janë shtuar edhe në Malishevë, kandidatit të PDK-së, Fetah Paçarizit dhe 703 i janë shtuar edhe Adnan Thaçit.
Edhe brenda Lidhjes Demokratike të Kosovës pati manipulim të votës së qytetarëve. Kandidatit Gëzim Hazrollit i janë shtuar 340 vota përmes manipulimit.
Pas rinumërimit, vjedhje e votës është evidentuar edhe në listën e Lëvizjes Vetëvendosje, ku kandidatit Valon Hoti, gjatë numërimit në QKN i janë shtuar 312 vota më shumë e Gani Krasniqit i janë shtuar 271.
Manipulim u vërejt edhe te NISMA Socialdemokrate ku Vesel Krasniqit, përmes manipulimit iu shtuan 264 vota e Besjanë Mazrekut 145.
Në Prishtinë, deri të shtunën janë rinumëruar mbi 58% apo 1,500 nga 2,557 vendvotime në nivel vendi. Procesi është përmbyllur në 22 komuna.
Top Channel