“Udhëheqës, a mund të rrini në radhë”/ Braçe kritikon zyrtarin shtetëror në Tiranë: Edhe policia që e shoqëron…

23/01/2026 12:55

Socialisti Erion Braçe ka ndarë një video nga trafiku në Tiranë, ku një zyrtar shtetëror nuk respekton radhën, por kalon me ndihmën e policisë.

Në reagimin në rrjetet sociale, Braçe shkruan se “hyrja brutale në mes të radhës është e paligjshme”. Ai shton se “është irrituese që këtë e garanton policia”.

“Tirana e madhe. Zotërinj udhëheqës, a mund të rrini në radhë? E keni problem të prisni si të gjithë? Shtetas tuajet janë këta që presin në radhën e trafikut e sipas kushtetues e ligjit jeni të barabartë me ta! Kjo hyrja brutale në mes të radhës, në një rrugë me dy korsi, duke shtyrë në cepa e në një anë jashtë saj popullin, është e padenjë, arrogante dhe irrituese; e paligjshme doemos!

Dhe nuk fitoni gjë më shumë se 8-10 minuta, ndërkohë që në zyrë po shkoni; dilni 8-10 minuta më herët dhe mbërrini në kohë; por me një ndryshim: duke respektuar njerëzit, tamam shtetasit tuaj!

Në anë tjetër, është irrituese që këtë e garanton policia; u kënaqa pardje kur pashë që policia me dron identifikonte shtetasit që thyenin radhën në shkelje të ligjit në Unazën e Madhe – i ndëshkoi atje. Po këtu? Policia në shkelje të radhës pa asnjë arsye madhore; policia dhe udhëheqësit po na mësojnë as të gëzohemi dhe as t’i lëvdojmë kur bëjnë mirë! Ja kaq!” – thuhet në reagimin e Braçes.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB