Trump ujdi me shefin e NATO-s, kryeministri i Groenlandës: Po neve, s’na pyet njeri?

23/01/2026 11:26

Ujdia për Groenlandën mes presidentit amerikan Donald Trump dhe Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte, u pa si valvular zhbllokuese e tensioneve të krijuara së fundi mbi ishullin arktik, por vetë kryeministri i tij Jens-Frederik Nielsen thotë se nuk është pyetur aspak për këtë marrëveshje.

Nielsen deklaroi qartë se nuk ka qenë pjesë e asnjë diskutimi të tillë dhe se nuk ekziston asnjë informacion konkret mbi përmbajtjen e “këtij pakti”.

“Unë nuk kam marrë pjesë në këto bisedime dhe nuk e di se çfarë përmbajnë ato. Askush, përveç Groenlandës dhe Danimarkës, nuk ka mandat për të negociuar në emër të vendit tonë. Kjo është një linjë e panegociueshme dhe nuk do të ndryshojë.”

Sipas tij, aktualisht po funksionon një grup pune në nivel të lartë që po trajton çështjet e hapura, ndërsa çdo marrëveshje e përfolur mbetet e paqartë dhe pa bazë zyrtare. Megjithatë, ai i mëshoi idesë se çdo zgjidhje duhet të respektojë interesat e Groenlandës dhe Danimarkës.

“Që nga dita e parë kemi vendosur kufij të qartë që nuk mund të kapërcehen. Integriteti territorial, sovraniteti dhe ligji ndërkombëtar nuk janë për diskutim.”

Nielsen theksoi se Groenlanda mbetet e hapur për bashkëpunim ekonomik dhe në fusha të tjera, por vetëm mbi bazën e respektit të ndërsjellë. “Nëse dikush synon të shfrytëzojë burimet tona natyrore, duhet të respektojë legjislacionin dhe standardet tona shumë të larta mjedisore. Kjo është pjesë thelbësore e identitetit dhe kulturës sonë”, nënvizoi ai.

Deklaratat e Nielsen vijnë pasi presidenti Trump pretendoi se “të gjithë janë shumë të lumtur” me marrëveshjen për ishullin, ndërsa nga ana tjetër, Rutte, pranoi se kishte arritur një dakordësi me liderin amerikan, pa dhënë detaje konkrete.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB