Afati i armëpushimit po skadon ndërsa bisedimet mbeten të pasigurta, forcat siriane pozicionohen në zonat e fundit të kontrolluara nga kurdët
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka ashpërsuar tonet ndaj Kanadasë, duke e akuzuar vendin fqinj se po refuzon bashkëpunimin ushtarak me SHBA-të dhe po afrohet gjithnjë e më shumë me Kinën.
Në një postim të publikuar të premten, Trump pretendon se Otava ka zgjedhur marrëveshje me Pekinin në vend që të pranojë mbrojtjen nga sistemi anti-ajror amerikan i quajtur “Kupola e Artë”, i planifikuar nga SHBA-të.
Sipas Trump, ky sistem mbrojtës do të shërbente jo vetëm për Groenlandën, por edhe për sigurinë e Kanadasë. Megjithatë, ai thekson se autoritetet kanadeze kanë votuar kundër ndërtimit të “Kupolës së Artë” dhe kanë preferuar bashkëpunimin me Kinën, një zgjedhje që, sipas tij, do të ketë pasoja të rënda.

“Kanadaja është kundër ndërtimit të ‘Kupolës së Artë’ mbi Groenlandën, edhe pse Kupola do ta mbrojë Kanadanë. Në vend të kësaj, ata votuan për të bashkëpunuar me Kinën, e cila do t’i ‘përpijë’ ata brenda vitit të parë!”, shkruan Trump.
Reagimi i presidentit amerikan vjen në një kohë tensionesh të shtuara gjeopolitike në rajonin e Arktikut. Kohët e fundit, Trump ka deklaruar se Kina dhe Rusia kanë ambicie strategjike për Groenlandën, territor që ai e konsideron me rëndësi të veçantë për sigurinë kombëtare të SHBA-ve.
Deklaratat e tij kanë ngjallur reagime dhe polemika, veçanërisht për mënyrën e drejtpërdrejtë dhe akuzuese ndaj një aleati tradicional si Kanadaja, si dhe për paralajmërimet e forta lidhur me ndikimin në rritje të Kinës në hemisferën perëndimore.
Top Channel