Takimi i Putin me Witkoff dhe Kushner zgjati 4 orë, zyrtarët rusë: Pa zgjidhur çështjen  territoriale, s’mund të ketë paqe jetëgjatë

23/01/2026 14:05

Të dërguarit e Presidentit të SHBA-së, Donald Trump, u takuan me Presidentin rus Vladimir Putin në Kremlin sitwn e djeshme, si pjesë e përpjekjeve të SHBA-së për të arritur një marrëveshje që do t’i jepte fund luftës në Ukrainë, përpara një raundi të ri ndërmjetësimi me bisedime trepalëshe në Abu Dhabi.

Sipas Axios, bisedimet në Moskë zgjatën rreth katër orë dhe u zhvilluan disa orë para fillimit të konsultimeve trepalëshe midis zyrtarëve nga Shtetet e Bashkuara, Ukraina dhe Rusia në Abu Dhabi. Uashingtoni thuhet se është afër një marrëveshjeje me Kievin mbi një plan paqeje dhe një plan prosperiteti për Ukrainën e pasluftës, por deri më tani nuk ka siguruar një angazhim të qartë nga pala ruse, megjithëse Vladimir Putin nuk i ka hedhur poshtë drejtpërdrejt propozimet amerikane.

Çështja qendrore e bisedimeve të ardhshme pritet të jetë kontrolli i territorit në Ukrainën lindore, me burime që thonë se territori do të jetë në qendër të negociatave në Abu Dhabi. Rusia këmbëngul në kërkesën që i gjithë rajoni i Donbasit të lirohet, një pozicion që, sipas Kremlinit, është një kusht kyç për një zgjidhje afatgjatë.

Në takimin në Kremlin morën pjesë i dërguari special i Shtëpisë së Bardhë, Steve Witkoff, dhëndri dhe këshilltari i lartë i Presidentit Trump, Jared Kushner, dhe zyrtari i Shtëpisë së Bardhë, Josh Gruenbaum. Të tre ishin nisur nga Davosi për në Moskë, menjëherë pas takimit të Donald Trump me Presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky.

Pas takimit, këshilltari i presidentit rus, Yuri Ushakov, u tha gazetarëve se të dërguarit e Trump e kishin informuar Vladimir Putinin mbi bisedimet që i kishin paraprirë atyre me palën ukrainase. Siç tha ai, diskutimet ngritën gjithashtu çështje që lidhen me Groenlandën, si dhe të ashtuquajturin “Këshill Paqeje” të Presidentit Trump.

“Bisedimet ishin thelbësore, konstruktive dhe shumë të sinqerta”, tha Ushakov, duke theksuar se pa zgjidhur çështjen territoriale, bazuar në marrëveshjen që Trump dhe Putin arritën në samitin e tyre gushtin e kaluar, “nuk ka perspektivë për një zgjidhje afatgjatë”. Kujtohet se Rusia ka kërkuar dhe këmbëngul për pushtimin e plotë të territoreve të Donbasit.

Pas Moskës, Steve Witkoff dhe Jared Kushner u nisën për në Abu Dhabi, ku do të zhvillohen bisedimet trepalëshe. Sipas një zyrtari ukrainas, në diskutime do të marrë pjesë edhe Sekretari i Ushtrisë së SHBA-së, Dan Driscoll.

Delegacioni ukrainas do të përfaqësohet nga kryenegociatori Rustem Umerov, kreu i administratës presidenciale Kirill Budanov, këshilltari diplomatik Serhiy Kyslytsia dhe shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ukrainës Andriy Khnatov. Nga pala ruse, në bisedime do të marrë pjesë i dërguari special i Kremlinit, Kirill Dmitriev, si dhe një ekip i udhëhequr nga kreu i shërbimit të inteligjencës ushtarake ruse, Admirali Igor Kostyukov, njoftoi Kremlini.

 

Top Channel

DIGITALB DIGITALB