Banorët e fshatit Gjonbabas, Njësia Administrative Lekas, Korçë denoncuan në emisionin Fiks Fare problematika serioze me energjinë elektrike dhe infrastrukturën rrugore, duke ngritur shqetësime për luhatje të tensionit, rrjet elektrik të amortizuar dhe rrezik të vazhdueshëm për sigurinë e tyre.

Ekipi i Fiks Fare u nis drejt Gjonbabës, rreth 5 orë larg Tiranës, ku që në hyrje të fshatit bie në sy rruga e amortizuar, e cila e vështirëson ndjeshëm lëvizjen dhe e bën zonën edhe më të izoluar. Por problematikat nuk mbarojnë me
infrastrukturën rrugore.

Banorët ankohen se, edhe pse kanë energji elektrike, tensioni është me luhatje të vazhdueshme, duke dëmtuar pajisjet shtëpiake dhe duke rrezikuar sigurinë e tyre. Në këtë fshat, rrjeti elektrik nuk ka parë asnjë ndërhyrje që prej kohës së elektrifikimit të vendit. Këtë e dëshmojnë më së miri shtyllat prej druri, të vendosura dekada më parë, të cilat vazhdojnë ende sot të mbajnë rrjetin elektrik, të amortizuara dhe të rrezikshme për banorët.
“Ndizen e shuhen dritat, lavatriçja herë punon e herë jo. Ajo shtyllë mezi mbahet nga telat, do na bjerë sipër,” shprehet një banore, e shqetësuar për rrezikun që paraqet rrjeti elektrik. Banorë të tjerë tregojnë se problemet janë më të theksuara për ata që kanë nevojë për energji trefazore.

Situata e ngjashme raportohet edhe nga fshatra të tjerë të zonës, si Marjani, ku banorët ankohen për rrugë të pakalueshme dhe energji të paqëndrueshme. I pyetur nga Fiks Fare, Administratori i Njësisë Administrative Lekas, Panajot Hysen, pranoi se problematika është e njohur dhe se janë bërë kërkesa zyrtare për ndërhyrje, si për transformatorin ashtu edhe për zëvendësimin e shtyllave dhe për rrugën, e cila prej dekadash nuk ka marrë investime serioze.

Ndërkohë, drejtori i OSHEE Korçë, Artur Qeramixhi, konfirmoi se transformatori i ri ishte gati dhe se vendosja e tij do të bëhej menjëherë. Siç u premtua, brenda 24 orëve transformatori u instalua, duke përmirësuar furnizimin me energji elektrike në fshat. Megjithatë, banorët theksojnë se kjo është vetëm një zgjidhje emergjente dhe kërkojnë ndërhyrje të plotë për rrjetin elektrik, zëvendësimin e shtyllave të amortizuara, rregullimin e telave të varur dhe, mbi të gjitha, investime serioze për rrugën, e cila sipas tyre ka mbetur në harresë për më shumë se 30 vjet.

FOTO GALERI
1/6

Top Channel

DIGITALB DIGITALB