“Petite Messe Solennelle”, kryevepra e Rosinit premierë në Teatrin e Operas dhe Baletit mbrëmjen e 25 janarit Teatri Eksperimental “Kujtim Spahivogli” do të sjellë për publikun katër premiera për fëmijë dhe katër të tjera për të rritur, pjesë e kalendarit artistik të këtij viti.
“Në datën 29 do të dalim me premierën ‘Djali’. Është teksti i fundit i triologjisë familjare të Zellerit, që ne e nisëm dy vite më parë me ‘Nënën’, vitin e kaluar me ‘Babain’ dhe këtë vit i qasemi audiencës me ‘Djalin’. Trajtojnë problematika familjare, drama të forta sociale”, thotë Gjergj Prevazi.
Ndërkohë, deri në mars produksionet e vitit të kaluar, “I huaji”, “Mbi fjalë” dhe “Babai” dalin me data të tjera për artdashësit.
Ndërsa për periudhën mars-qershor, Teatri ka hapur thirrjen për projekte teatrore për prodhime dhe bashkëprodhime.
Gjergj Prevazi shton: “Sot, kudo në Evropë teatri është i integruar. Në këtë kuptim, duhet t’i qasemi një gjuhe më bashkëkohore. Presim aplikime serioze nga brenda, por edhe nga jashtë Shqipërisë”.
Përballë mungesës së dramës shqiptare në skenën e teatrit, Prevazi thotë se këtë vit do të teatralizohen disa vepra: “Jemi përpjekur ta promovojmë sa më shumë dramën shqipe, me gjithë vështirësitë që kemi, pasi nuk kemi një shkollë të dramaturgjisë në Shqipëri. Por, gjithsesi vendi ynë ka personalitete shumë të mira”.
Me akordimin e në buxheti prej 13 milionë lekësh nga Ministria e Turizmit, Kulturës dhe Sportit, këtë vit rikthehet Fondi i Teatrit për të Rinj për dramaturgjët nën 35 vjeç.
Gjergj Prevazi thotë: “Do të jenë minimalisht 10 produksione në kuadër të Fondit të Teatrit për të Rinj, i cili do të zhvillohet në të gjithë vendin, do të vendosin pjesë dramatike edhe në qytete ku teatri nuk është prezent. Në fund të vitit, do ta mbyllim me festivalin ‘Hapat’. Teatri kthehet kështu edhe në një shkollë, përtej edukimit që merr në bankat e universitetit”.
Përballë problemeve teknike në sallën e Arturbinës, drejtori i Teatrit Eksperimental sheh të nevojshme edhe rinovimin e ambienteve gjatë këtij sezoni artistik.
“Do të donim të kishim më tepër mundësi teknike në teatër, por fatmirësisht këtë vit na është lëvruar një fond për të rinovuar teknikën dhe teknologjinë e teatrit”, shprehet Prevazi.
I konceptuar si një institucion me kontrata të përkohshme dhe jo me trup artistike rezidente, Teatri Eksperimental ka në fokus të rinjtë dhe vënien në skenë të veprave nga autorë bashkëkohorë.
Top Channel