Video/ Po transmetonin live në Facebook situatën e përmbytjeve, dy kryebashkiakët goditen nga vala e fuqishme e ujit

22/01/2026 09:36

Kryebashkiakët e Taorminës dhe Santa Teresa di Riva, Cateno De Luca dhe Danilo Lo Giudice, janë përfshirë nga një valë anormale teksa po transmetonin drejtpërdrejt në Facebook situatën e motit të keq.

Për të treguar nga afër fuqinë e dallgëve të forta që prej ditës së martë po godasin me intensitet bregdetin jonian të Sicilisë, dy drejtuesit vendorë ishin zhvendosur në shëtitoren e Santa Teresa di Riva.

Në momentin që kamerat po fokusonin detin e trazuar, një valë e papritur i ka surprizuar dhe përfshirë të dy kryebashkiakët. Videoja është publikuar më pas nga vetë Cateno De Luca në rrjetet sociale, i cili ka apeluar qytetarët të shmangin rrezikun.

“Mos bëni atë që bëmë ne. Qëndroni larg shëtitoreve dhe përrenjve. Në Santa Teresa, disa orë më parë, u përfshimë nga një valë teksa, së bashku me kryebashkiakun Danilo Lo Giudice, po tregonim drejtpërdrejt pasojat e shkaktuara nga cikloni Harry”, shkruan De Luca.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB