Champions League nuk është vetëm kompeticioni më prestigjioz në futbollin europian, por edhe burimi më i madh i të ardhurave për klubet pjesëmarrëse.

Diferencat ekonomike mes fazave janë të mëdha dhe shpesh vendimtare për bilancet financiare të skuadrave. Vetëm kalimi nga play-off-i në fazën e 1/8-ave të finales sjell një diferencë prej rreth 10 milionë eurosh, shifër që shpjegon presionin dhe rëndësinë e çdo ndeshjeje. Çdo një nga 36 klubet e kualifikuara në fazën e grupeve përfiton automatikisht 18,62 milionë euro. Këtyre u shtohen bonuset për rezultatet në tetë ndeshjet e “fazës së kampionatit”: 2,1 milionë euro për çdo fitore dhe 700 mijë euro për çdo barazim. Pra, performanca në fushë përkthehet drejtpërdrejt në përfitim financiar.

Një tjetër element i rëndësishëm është bonusi i renditjes përfundimtare në fazën e grupeve. Skuadra që mbyll e fundit merr vetëm një kuotë prej 275 mijë eurosh, ndërsa çdo pozicion më lart sjell një kuotë shtesë. Në këtë mënyrë, ekipi i renditur i pari përfiton 36 kuota, duke rritur ndjeshëm të ardhurat totale. Përtej kësaj, tetë skuadrat e para marrin edhe 2 milionë euro shtesë, ndërsa ekipet nga vendi i 9-të deri në të 16-in përfitojnë 1 milion euro ekstra. Kalimi në fazat eliminatore rrit ndjeshëm shpërblimet: kualifikimi në 1/8-at e finales vlen 11 milionë euro, ndërsa pjesëmarrja në play-off vetëm 1 milion.

Shifrat rriten më tej me 12,5 milionë euro për çerekfinalet, 15 milionë për gjysmëfinalet, 18,5 milionë për finalen dhe 6,5 milionë euro shtesë për fituesin. Ndërkohë, dy finalistët sigurojnë edhe pjesëmarrjen në Superkupën e UEFA-s, ku përfitojnë nga 4 milionë euro secili, me një bonus shtesë prej 1 milion eurosh për fituesin. Champions League, pra, është një minierë ari ku çdo hap përpara vlen miliona.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB