Starmer ashpërson retorikën ndaj Trump: Po ushtron presion mbi mua dhe Britaninë për çështjen e Groenlandës

22/01/2026 08:22

Kryeministri britanik Keir Starmer ka ashpërsuar ndjeshëm retorikën ndaj presidentit amerikan Donald Trump, duke e akuzuar se po ushtron presion politik mbi Mbretërinë e Bashkuar për çështjen e Groenlandës.

Gjatë një debati të tensionuar në Parlament, Starmer tha se kritikat e Trump ndaj marrëveshjes për Ishujt Chagos me Mauritiusin nuk ishin të sinqerta, por kishin si qëllim dobësimin e qëndrimit britanik ndaj Grenlandës.

“Presidenti Trump i përdori këto fjalë për të ushtruar presion mbi mua dhe mbi Britaninë që të tërhiqemi nga parimet tona për të ardhmen e Grenlandës. Këtë nuk do ta bëj,” deklaroi Starmer.

Akuzë ndaj opozitës

Starmer akuzoi lideren konservatore Kemi Badenoch se po përdor deklaratat e Trump për përfitime politike, duke minuar unitetin kombëtar në një çështje të ndjeshme ndërkombëtare.

“Ajo ka zgjedhur oportunizmin e zhveshur, në vend të interesit kombëtar,” tha kryeministri.

Tension me SHBA për Grenlandën

Starmer ka kundërshtuar më herët kërcënimin e Trump për vendosjen e tarifave tregtare ndaj vendeve evropiane, përfshirë Britaninë, që kanë dërguar trupa në Grenlandë dhe refuzojnë kërkesën e SHBA-së për kontroll mbi ishullin.

Ai theksoi se hakmarrja tregtare ndaj SHBA-së do të ishte gabim, por pranoi se qëndrimi i Trump po krijon përçarje serioze mes aleatëve.

Qëndrime të ndara në politikën britanike

Ndërsa shumica e partive britanike kundërshtojnë çdo përpjekje amerikane për të marrë Grenlandën pa pëlqimin e popullsisë lokale, lideri i Reform UK, Nigel Farage, deklaroi nga Davosi se bota do të ishte më e sigurt nëse SHBA-ja do të kishte kontroll mbi Grenlandën, duke theksuar rëndësinë gjeopolitike të rajonit.

Megjithatë, Farage shtoi se sovraniteti dhe vetëvendosja duhet të respektohen.

Grenlanda, në qendër të përplasjes globale

Starmer paralajmëroi se çështja e Grenlandës është kthyer në një ndarje të fortë globale, me pasoja reale politike dhe të sigurisë.

“E ardhmja e Grenlandës është një çështje binare që po ndan botën,” tha ai, duke e bërë të qartë se Britania nuk do të tërhiqet nga pozicioni i saj.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB