QSUT ende pa përgjigje për gjeneratorët, drejtori i shërbimeve mbështetëse: Teknikët rikthyen në punë sistemin, nuk u rrezikuan pacientët

22/01/2026 19:52

Problemi i territ në QSUT është gjetur jashtë godinës spitalore.

Gjatë deklaratës së dytë zyrtare të Qendrës spitalore universitare Nënë Tereza nuk merren sërish përgjegjësi dhe as nuk kthehen përgjigje se përse nuk funksionuan gjeneratorët si zgjidhje e përkohshme e avarive teknike?!

Drejtori i shërbimeve mbështetëse në QSUt, Erjon Ngjelo nuk pranon rrezikun e krijuar për dhjetëra pacientë në reanimacion prej ndërprerjes së energjisë elektrike. Në shpjegimet e dhëna tregon vetëm shkakun nga lindi problemi i ikjes së dritave.

“Mbrëmjen e ditës së hënë u evidentuan problematika në furnizimin me energji elektrike, si pasojë e një avarie teknike të shkaktuar nga një defekt madhor në linjën e tensionit të lartë, jashtë territorit të QSUT. Situata u monitorua në bashkëpunim me OSHEE dhe furnizimi me energji elektrike u rikthye gradualisht”, u shpreh Erjon Ngjelo, drejtor i Shërbimeve Mbështetëse në QSUT.

QSUT nuk dha detaje se pse kontrata e mirëmbajtjes e cila sipas burimeve të Top Channel nuk ishte rinovuar pas përfundimit, duke e lënë spitalin në mëshirë të fatit. Dhe gjithashtu nuk dha as siguri se një situatë e ngjashme nuk do të përsëritet.

Në dy sallat e reanimacionit për 30 minuta mbrëmjen e të hënës 30 pacientë u përballën me rrezikun për jetën, e familjarët e tyre në panikun e  gjendjes së të shtruarve.

Teksa në errësirë, mjekët transferonin pacientët me respiratorë të lëvizshëm duke mbajtur parametrat nën kontroll.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB