LIVE/ Pezullimi i Ballukut nga detyra, Kushtetuesja shqyrton kërkesën e Ramës. Kryeministria dhe Kuvendi: U shkel Kushtetuta, ministri njësoj i mbrojtur si deputeti. GJKKO: Nuk marrim pjesë

22/01/2026 11:16

Gjykata Kushtetuese është mbledhur sot në seancë plenare për të shqyrtuar një kërkesë të kryeministrit Edi Rama i cili kërkon zgjidhjen e mosmarrëveshjes me Gjykatën e Posaçme, e cila pezulloi në dhjetor zv.kryeministren Belinda Balluku, e marrë e pandehur në kuadër të hetimeve për ndërtimin e Tunelit të Llogarasë dhe Unazën e Tiranës.

E mbledhur në fund të vitit të kaluar, Kushtetuesja vendosi të ngrijë vendimin e Gjykatës së Posaçme e cila nga ana e saj kishte vendosur pezullimin e Ballukut nga detyra, ndërkohë që në seancën e sotme do të shqyrtojë në themel kërkesën e kryeministrit.

11:25 Masa e pezullimit ndaj Ballukut në GJKKO, përfaqësuesi i Qeverisë: Çfarë ndodh nëse Apeli e rrëzon?

Gjatë seancës për të shqyrtuar kërkesën e kryeministrit lidhur me vendimin e GJKKO-së për pezullimin nga detyra të zv.kryeministres Belinda Balluku, përfaqësuesi i kryeministrisë u pyet edhe për dallimin mes pozitës së kreut të qeverisë dhe ministrit, sa I përket pezullimit nga gjykata.

10:52 “Pezullimi, njësoj si shkarkimi”/ Përfaqësuesja e Kuvendit: Janë shkelur dispozitat kushtetuese

“Vendimi i SPAK krahasohet me shkarkimin e një ministri duke mos mundësuar ushtrimin e detyrave. Vendimi i pezullimit është de facto një shkarkim. Ndalohet pjesëmarrja e ministrit në Këshillin e Ministrave. Kur të gjitha veprimet pezullohen, funksionari mbetet pa mundësi për të ushtruar detyrën. Një element tjetër që e afron pezullimin me shkarkimin, fakti që një vendim i Gjykatës pezullon një ministër, në këtë rast ky vendim është paaftë. Ky afat i hetimit, duke ditur dhe mënyrën sesa zgjasin hetimet, mund të jetë e barabartë me një mandat. Kjo e bën de facto që pezullimin e ka shkarkuar. Në këto kushte, janë cenuar dispozitat kushtetuese që përcaktojnë mënyrën e emërimit apo shkarkimit të një ministri.”-u shpreh përfaqësuesja e Kuvendit në Gjykatën Kushtetuese.

10:30 Përfaqësuesja e kryeministrit në GJK: Nuk ka të drejtë gjykata të pezullojë ministren, SPAK ka shkelur…

“A ka të drejtë gjykata të pezullojë një ministre? Ne argumentojmë se jo. Për ta bërë më të qartë, sjellim një shembull. Supozojmë se GJKKO do kishte lëshuar masën e arrestit për një deputet. A do duhet të priste sa përfundonte ankimin në të gjitha shkallat e gjykatat? Edhe Këshilli i Ministrave dhe kryeministri nuk kanë asnjë detyrim për të pritur shqyrtimin. Në lidhje me themelin e kërkesës. Deputeti gëzon imunitet, nuk mund të kontrollohet ose të arrestohet pa pëlqimin e Kuvendit. Nuk mund të arrestohet ose t’i hiqet liria në çfarëdolloj forme pa autorizimin e Kuvendit. Autorizimi i Kuvendit kërkohet jo vetëm për masa kufizimi personal. Çfarë mbron imuniteti i deputetit, lirinë apo detyrën që kryen si deputet. Synon mbrojtjen e detyrës së deputetit. Në të kundërt nuk do kishte asnjë arsye pse Kushtetuta ta mbronte lirinë personale. Vetë GJK ka mbajtur qëndrimin se autorizimi nga Kuvendi është i nevojshëm për arrestin me burg dhe arrestin në shtëpi. Anëtarët e Këshillit të Ministrave po ashtu gëzojnë imunitet. SPAK nuk ka zbatuar jurisprudencës e Gjykatës Kushtetuese se ka sqaruar se edhe ministri që nuk është deputet, ka të njëjtin imunitet”-tha përfaqësuesja e Kryeministrit.

10:10 Nis seanca në Gjykatën Kushtetuese për Ballukun, GJKKO: Nuk do të marrim pjesë

Ka nisur seanca në Gjykatën Kushtetuese për çështjen e zv.kryeministres Belinda Balluku. Në gjykatë janë të pranishëm prokurorët e çështjes. Presidenti Begaj përfaqësohet nga Ilir Rusmali, këshilltar, Hemioni Braho, shef kabineti dhe Eriola Shia, Drejtore e përgjithshme. Ndërkohë Kuvendi përfaqësohet nga drejtoresha juridike, Mimoza Arbi. GJKKO përmes një reagimi zyrtar ka njoftuar nuk do të dërgojë përfaqësues me argumentin se “nuk mund të legjitimohet si palë në gjykimin kushtetues me kërkues Kryeministrin e Republikës së Shqipërisë”.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB