LIVE/ Kërkesa e Ramës për pezullimin e Ballukut, Kushtetuesja tërhiqet për vendim. Kryeministria dhe Kuvendi: U shkel Kushtetuta, ministri njësoj si deputeti. SPAK: Pezullimi, sepse rrezikohej helmimi i provave

22/01/2026 13:51

Pezullimi nga detyra për llogari të SPAK të zëvendës kryeministres dhe ministres Belinda Balluku përplasi në Gjykatën Kushtetuese të treja pushtetet, ku secili prej tyre këmbënguli se me kazusin Balluku ishte ndërhyrë në territorin e vet.

Përpara se të dëgjohej qeveria, kuvendi dhe SPAK, Gjykata e Posaçme që ka aprovuar masën ndaj deputetes dhe ministres njoftoi mospjesëmarrjen në seancë plenare, pasi në një shtet demokratik një gjykatë nuk mund të thirret si palë për të mbrojtur një vendim të dhënë prej saj.

Gjatë shqyrtimit të kërkesës së kryeministrit që kërkon zgjidhje të mosmarrëveshjes së kompetencave, përfaqësuesja e Këshillit të Ministrave i kujtoi Gjykatës Kushtetuese se po kjo gjykatë ka dhënë vendim 26 vite më parë për lëshimin e autorizimit edhe për ministrin kur nuk është deputet, çka bën të qartë, sipas saj, rrugën që duhej ndjekur edhe me Ballukun.

Edhe Kryeministria, edhe Kuvendi, edhe Presidenca ishin në një linjë për imunitetin e deputetit dhe ministrit.

Mbasi dëgjoi edhe precedencat e mëparshme si rasti Veliaj dhe Berisha, SPAK i kujtoi edhe Gjykatës Kushtetuese se çfarë kufijsh kishte kaluar ajo me vendimin që shpalli më herët, duke pezulluar pezullimin e Ballukut.

Përpara se seanca të niste, Mundësia protestoi në emër të drejtësisë.

Gjykata Kushtetuese, mbasi bëri të gjitha pyetjet dhe mori përgjigjet, e shtyu seancën.

13:29 SPAK: Pezullimi, masë e përkohshme. Pretendimi se ka bllokuar funksionimin e Qeverisë, nuk qëndron

Prokuroria e Posaçme është shprehur kundër kërkesës së kryeministrit për shqyrtim në Gjykatën Kushtetuese të masës së pezullimit ndaj zv.kryeministres Belinda Balluku. Prokurori i SPAK gjatë gjatë seancës në Kushtetuese se nuk ka një konflikt kompetencash mes GJKKO-së dhe Kryeministrit. “Nuk konstatohet ekzistenca e një konflikti kompetencash. Nuk ka një ndërveprim mes Gjykatës dhe Kryeministrit. Marrëdhënia e pretenduar nga kryeministri buron nga Kushtetuta dhe nuk mund të pretendohet për konflikt kompetencash. A ka konflikt konkret mes GJKKO dhe kryeministrit? Kushtetuesja e ka argumentuar se çdo organ ka kompetencat e veta”, tha përfaqësuesi i SPAK.

11:25 Masa e pezullimit ndaj Ballukut në GJKKO, përfaqësuesi i Qeverisë: Çfarë ndodh nëse Apeli e rrëzon?

Gjatë seancës për të shqyrtuar kërkesën e kryeministrit lidhur me vendimin e GJKKO-së për pezullimin nga detyra të zv.kryeministres Belinda Balluku, përfaqësuesi i kryeministrisë u pyet edhe për dallimin mes pozitës së kreut të qeverisë dhe ministrit, sa I përket pezullimit nga gjykata.

10:52 “Pezullimi, njësoj si shkarkimi”/ Përfaqësuesja e Kuvendit: Janë shkelur dispozitat kushtetuese

“Vendimi i SPAK krahasohet me shkarkimin e një ministri duke mos mundësuar ushtrimin e detyrave. Vendimi i pezullimit është de facto një shkarkim. Ndalohet pjesëmarrja e ministrit në Këshillin e Ministrave. Kur të gjitha veprimet pezullohen, funksionari mbetet pa mundësi për të ushtruar detyrën. Një element tjetër që e afron pezullimin me shkarkimin, fakti që një vendim i Gjykatës pezullon një ministër, në këtë rast ky vendim është paaftë. Ky afat i hetimit, duke ditur dhe mënyrën sesa zgjasin hetimet, mund të jetë e barabartë me një mandat. Kjo e bën de facto që pezullimin e ka shkarkuar. Në këto kushte, janë cenuar dispozitat kushtetuese që përcaktojnë mënyrën e emërimit apo shkarkimit të një ministri.”-u shpreh përfaqësuesja e Kuvendit në Gjykatën Kushtetuese.

10:30 Përfaqësuesja e kryeministrit në GJK: Nuk ka të drejtë gjykata të pezullojë ministren, SPAK ka shkelur…

“A ka të drejtë gjykata të pezullojë një ministre? Ne argumentojmë se jo. Për ta bërë më të qartë, sjellim një shembull. Supozojmë se GJKKO do kishte lëshuar masën e arrestit për një deputet. A do duhet të priste sa përfundonte ankimin në të gjitha shkallat e gjykatat? Edhe Këshilli i Ministrave dhe kryeministri nuk kanë asnjë detyrim për të pritur shqyrtimin. Në lidhje me themelin e kërkesës. Deputeti gëzon imunitet, nuk mund të kontrollohet ose të arrestohet pa pëlqimin e Kuvendit. Nuk mund të arrestohet ose t’i hiqet liria në çfarëdolloj forme pa autorizimin e Kuvendit. Autorizimi i Kuvendit kërkohet jo vetëm për masa kufizimi personal. Çfarë mbron imuniteti i deputetit, lirinë apo detyrën që kryen si deputet. Synon mbrojtjen e detyrës së deputetit. Në të kundërt nuk do kishte asnjë arsye pse Kushtetuta ta mbronte lirinë personale. Vetë GJK ka mbajtur qëndrimin se autorizimi nga Kuvendi është i nevojshëm për arrestin me burg dhe arrestin në shtëpi. Anëtarët e Këshillit të Ministrave po ashtu gëzojnë imunitet. SPAK nuk ka zbatuar jurisprudencës e Gjykatës Kushtetuese se ka sqaruar se edhe ministri që nuk është deputet, ka të njëjtin imunitet”-tha përfaqësuesja e Kryeministrit.

10:10 Nis seanca në Gjykatën Kushtetuese për Ballukun, GJKKO: Nuk do të marrim pjesë

Ka nisur seanca në Gjykatën Kushtetuese për çështjen e zv.kryeministres Belinda Balluku. Në gjykatë janë të pranishëm prokurorët e çështjes. Presidenti Begaj përfaqësohet nga Ilir Rusmali, këshilltar, Hemioni Braho, shef kabineti dhe Eriola Shia, Drejtore e përgjithshme. Ndërkohë Kuvendi përfaqësohet nga drejtoresha juridike, Mimoza Arbi. GJKKO përmes një reagimi zyrtar ka njoftuar nuk do të dërgojë përfaqësues me argumentin se “nuk mund të legjitimohet si palë në gjykimin kushtetues me kërkues Kryeministrin e Republikës së Shqipërisë”.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB