I bëri thirrje Europës të rinovojë besimin dhe angazhimin ndaj NATO-s, Merz: Rendi botëror po shpërbëhet

22/01/2026 12:06

Kancelari i Gjermanisë, Friedrich Merz, ka paralajmëruar se rendi botëror po “shpërbëhet me një ritëm marramendës”, duke i bërë thirrje Europës të rinovojë besimin dhe angazhimin ndaj NATO-s.

Deklaratat ai i bëri gjatë fjalimit të tij në Forumin Ekonomik Botëror, në një moment tensionesh të forta transatlantike pas deklaratave të presidentit amerikan Donald Trump për Groenlandën.

“Ne nuk duhet të heqim dorë nga NATO. Duhet të riparojmë besimin mbi të cilin është ndërtuar aleanca”, tha Merz, duke theksuar se Europa mbetet një aset kyç strategjik për Shtetet e Bashkuara.

Kancelari rikonfirmoi mbështetjen e Gjermanisë për Danimarkën dhe Groenlandën, pas kërkesave të Trump për marrjen nën kontroll të ishullit arktik.

“Ne do të mbrojmë Danimarkën, Groenlandën dhe Veriun nga kërcënimi rus, duke respektuar sovranitetin dhe integritetin territorial”, deklaroi ai.

Merz mirëpriti faktin që Trump përjashtoi përdorimin e forcës për Groenlandën, por paralajmëroi se tarifat e reja tregtare ndaj Europës do të “minonin themelet e marrëdhënieve transatlantike”.  Ai theksoi se NATO mbetet thelbësore për përballimin e një rendi të ri global, gjithnjë e më të dominuar nga forca.

“Duhet të investojmë fuqishëm në mbrojtjen tonë, të forcojmë konkurrueshmërinë ekonomike dhe të qëndrojmë më të bashkuar, si europianë dhe me partnerët tanë të njëjtë në vlera”, përfundoi Merz.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB