“A e largon Bordi i Paqes Shqipërinë nga BE?”/ Spiropali nga Kuvendi: Anëtarësimi ynë në Union, prioritet politik

22/01/2026 12:47

Pas miratimit në Komisionin e Jashtëm, ministrja Spiropali mori fjalën në Kuvend ku u kërkoi deputetëve të miratonin projektligjin për Bordin e Paqes.

Ftesa e presidentit Trump, tha Spiropali, e pozicionon Shqipërinë si anëtare themeluese të Bordit të Paqes.

“Një ftesë që e pozicionon vendin tonë si anëtare themeluese e Bordit të Paqes. Për të qenë aty që në fillim, kjo ka rëndësi. Kjo nuk është çështje partie, por çështje e shtetit shqiptar. Në këtë sallë kemi dallime politike, ajo që nuk është normale është ajo që dëgjuam para pak minutash. Ka momente kur këto dallime nuk na ndihmojnë. Sot Shqipëria ka nevojë për qetësi dhe maturitet. Shqipëria e pranon këtë ftesë jo si privilegj, por për të marrë përgjegjësi. Konfliktet e vjetra nuk po mbyllen, por po thellohen. Prandaj SHBA kanë zgjedhur një qasje të re, përgjegjësi reale nga ata që ulen në tryezë. Nuk ka rëndësi sa i madh je në hartë, por sa i besueshëm je në sjellje. Shqipëria e ka ndërtuar këtë besueshmëri, ardhur nga partneriteti strategjik me SHBA, që nuk është slogan, por histori konkrete. Kjo besueshmëri nuk është abstrakte, lidhet me qëndrimin e Shqipërisë. Me guxim për të ndërtuar aleanca, me aftësi për të krijuar besim dhe me vendosmërinë për ta mbajtur Shqipërinë në anën e duhur të historisë. Ftesa që kemi sot para nesh është një nga përgjigjet.

Spiropali tha se pjesëmarrja e Shqipërisë në Bordin e Paqes të krijuar nga Trump, nuk e largon nga objektivi për anëtarësimin në Bashkimin Europian.

Në çdo hap të kësaj rruge, kryeministri i Shqipërisë e ka pasur Kosovën gjithmonë me vete. Me mendim të qartë, me përkrahje të pakursyer në çdo tryezë ndërkombëtare. Dua të ndalem “pse Shqipëria e pranon Bordin e Paqes dhe a nënkupton largimin nga BE”. Përgjigja është: Jo. Anëtarësimi në BE, objektivi ynë kryesor politik dhe shoqëror, që nuk zëvendësohet. Politika jonë e jashtme është ndërtuar me marrëdhënie strategjike edhe me SHBA. Ne nuk largohemi nga Europa”-u shpreh më tej Spiropali.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB