Napoli shpërdoroi një rast shumë të mirë në Fazën e Ligës së Champions League teksa nuk shkoi më shumë se barazimi 1-1 në Danimarkë ndaj Copenhagen dhe ia komplikon gjërat vetes përsa i përket kualifikimit në playoff.

Skuadra e Antonio Contes shkoi në këtë ndeshje me emergjencën e dëmtimeve dhe në Stadiumin Parken, ai që e mori i pari inisiativën ishte Hojlund që në minutën e 11 tentoi me një gjuajtje të fortë me të djathtën, por gjuajtja e tij përfundoi pak mbi tramversën e portës daneze. Tetë minuta më vonë, Vergara pa që topi i gjuajtur prej tij të përfundojë ngjitur me shtyllën.

Napoli ishte padron i fushës teksa në minutën e 27 iu afrua golit me Di Lorenzon i ndalur nga Kotarski, ndërsa në minutën e 35 Copenhagen mbeti me 10 futbollistë, Delaney shkaktoi një faull të rëndë ndaj Lobotka  dhe u ndëshkua me karton të kuq, pas ndërhyrjes së sistemit VAR. Napoli e shfrytëzoi menjëherë superioritetin numerik duke marrë avantazhin në rezultat 1-0 me golin e të zakonshmit McTominay që shënoi me kokë në minutën e 39.

Në fillimin e pjesës së dytë, Vergara iu afrua golit të dytë, por në minutën e 72, Copenhagen barazoi shifrat në 1-1. Skuadra daneze fitoi një penallti që u ekzekutua nga Larsson, gjuajtja e të cilit u kthye nga Milinkovic Savic por suedezi   e goditi menjëherë topin e kthyer duke e dërguar në rrjetë. Napoli tentoi të kthehej në avantazh, por në fund rezultati mbeti 1-1 me të dyja skuadrat që shkojnë në kuotën e 8 pikëve me Napolin që është në vendin e 23 të renditjes

Top Channel

DIGITALB DIGITALB