SHBA-të justifikojnë qëndrimin ndaj Groenlandës, europianët paralajmërojnë Trumpin

19/01/2026 08:28

Sipas arsyetimit amerikan Groenlanda mund të mbrohet vetëm nëse do të ishte pjesë e SHBA-së, sepse evropianët duken të dobët.

Qeveria amerikane e justifikoi qëllimin e saj për aneksimin e Groenlandës nga SHBA-ja me nevojën për të shmangur një konflikt të mundshëm në rajonin e Arktikut. Ministri i Financave dhe i Thesarit të SHBA-së, Scott Bessent, deklaroi në programin “Meet the Press” të NBC News se Groenlanda mund të mbrohet vetëm nëse do të ishte pjesë e SHBA-së, dhe se nëse Groenlanda do të ishte pjesë e Shteteve të Bashkuara, nuk do të lindë fare nevoja për ta mbrojtur atë. Bessent tha gjithashtu: “Evropianët duken të dobët. SHBA-të duken të forta.”

Kryeministrja daneze: “Nuk jemi ne ata që kërkojnë konflikt”

Kryeministrja daneze Mette Frederiksen e kritikoi ashpër kërcënimin e Donald Trumpit për tarifa të reja. “Nuk jemi ne ata që kërkojmë konflikt”, i tha ajo agjencisë daneze të lajmeve Ritzau. Ajo tha se ka marrë sinjale të ngjashme nga vendet e tjera evropiane. “Tani po bëhet edhe më e qartë se kjo është një çështje që shtrihet përtej kufijve tanë”, tha Frederiksen.

Evropianët paralajmërojnë Trumpin

Gjermania dhe shtatë shtetet e tjera evropiane të prekura nga tarifat doganore e hodhën poshtë kërcënimin e Presidentit të SHBA-së Trump për këto tarifa. “Kërcënimet për tarifa doganore minojnë marrëdhëniet transatlantike dhe mbartin rrezikun e përshkallëzimit”, thuhet në një deklaratë të Gjermanisë, Danimarkës, Finlandës, Francës, Holandës, Norvegjisë, Suedisë dhe Mbretërisë së Bashkuar.

Misioni i përbashkët i eksplorimit në Groenlandë “nuk përbën kërcënim për askënd”. Këto vende janë të vendosura të mbështesin sovranitetin e tyre dhe të qëndrojnë në krah të Danimarkës dhe Grenlandës, përfundon deklarata./Dw

Top Channel

DIGITALB DIGITALB