Përleshjet në Siri, Kaja Kallas i bën thirrje palëve: Ndaloni luftimet, mos e zhysni vendin sërish në trazira
Departamenti amerikan i Drejtësisë ka njoftuar se ka nisur hetime ndaj protestuesve që ndërprenë një shërbesë fetare të dielën në një kishë në Minesota, pasi ata besojnë se një nga pastorët e saj punon për Shërbimin e Imigracionit dhe Doganave (ICE).
Pamjet tregojnë protestues brenda kishës duke brohoritur parulla si “ICE jashtë” dhe “Drejtësi për Renee Good”, një grua që u vra nga një agjent i ICE në Minneapolis në fillim të këtij muaji. Zyrtarët e Departamentit të Drejtësisë i akuzojnë demonstruesit për “përdhosje të një shtëpie adhurimi” dhe kanë paralajmëruar hetime për shkelje të të drejtave civile.
Sipas ‘BBC‘, protestat kundër ICE-së kanë vijuar në të gjithë shtetin, ndërsa administrata e presidentit Donald Trump ka intensifikuar masat ndaj emigracionit të paligjshëm. Sipas raportimeve, Pentagoni ka vënë në gatishmëri rreth 1,500 ushtarë për një vendosje të mundshme.
Prokurorja e Përgjithshme e SHBA-së, Pam Bondi, deklaroi të dielën se do të përdoret “forca e plotë e ligjit federal” kundër protestuesve që ndërprenë shërbesën në Kishën e Qyteteve në St. Paul, pranë Minneapolis. Ndërkohë, Ndihmës Prokurori i Përgjithshëm Harmeet Dhillon tha se departamenti do të ngrejë akuza federale në këtë rast.
Protestuesit pretendojnë se një nga tetë pastorët e kishës, David Easterwood, është zyrtar lokal i ICE-së, megjithëse ai nuk po e drejtonte shërbesën atë ditë. Sipas Associated Press dhe Minnesota Star Tribune, një person me të njëjtin emër figuron në dokumente gjyqësore si drejtor në detyrë i zyrës së ICE në St. Paul. Ai është shfaqur gjithashtu në një konferencë për shtyp së bashku me Sekretaren e Sigurisë Kombëtare, Kristi Noem, tetorin e kaluar.
Kisha nuk ka reaguar ende ndaj kërkesave për koment, ndërsa Departamenti i Sigurisë Kombëtare (DHS) ka deklaruar se nuk konfirmon apo mohon identitetin e agjentëve të tij për arsye sigurie.
Monique Cullars-Doty, bashkëthemeluese e “Black Lives Matter Minnesota” dhe një nga organizatoret e protestës, tha për CBS News se demonstruesit nuk mund të qëndrojnë “duarkryq” përballë veprimeve të autoriteteve federale.
Ndërkohë, protesta me përplasje të herëpashershme kanë vazhduar pranë ndërtesës Whipple në Minneapolis, ku ndodhen zyrat e agjencive federale. Sipas DHS, të paktën 3,000 persona janë arrestuar në qytet që nga fillimi i vendosjes së forcave federale.
Të premten, një gjyqtar federal kufizoi përdorimin e disa taktikave të kontrollit të turmës nga ICE ndaj protestuesve paqësorë. Po ashtu, Departamenti i Drejtësisë ka hapur hetime ndaj kryetarit të bashkisë së Minneapolis, Jacob Frey, dhe guvernatorit të Minesotës, Tim Walz, për dyshime se kanë penguar operacionet federale të imigracionit.
Protestat janë intensifikuar pas vdekjes së Renee Good, një shtetase amerikane 37-vjeçare dhe nënë e tre fëmijëve, e cila u qëllua për vdekje nga një agjent i ICE më 7 janar në Minneapolis. Administrata Trump e ka cilësuar atë si “terroriste vendase”, ndërsa ka deklaruar se agjenti veproi në vetëmbrojtje.
Presidenti Trump ka paralajmëruar se mund të përdorë Aktin e Kryengritjes, një ligj i shekullit XIX që i lejon presidentit të vendosë trupa ushtarake aktive për zbatimin e ligjit brenda SHBA-së. Ky ligj është përdorur për herë të fundit në vitin 1992, gjatë trazirave të Los Angeles-it pas çështjes Rodney King.
Top Channel