Skema mashtruese nëpërmjet thirrjeve telefonike nga Shqipëria që kishte futur në grackë qindra europianë duke i bindur të investonin në kriptomonedha funksiononte si një grup kriminal i mirë organizuar.
Prokuroria e Posaçme nëpërmjet një njoftimi zyrtar mbi operacionin e dy ditëve më parë ka sqaruar se në pranga kanë rënë 8 persona, si dhe janë shpallur në kërkim 3 vëllezërit Agim, Alfred dhe Arjan Prekaj, ndërkohë që të paktën 28 objekte janë kontrolluar nga Byroja Kombëtare e Hetimit dhe Policia e Shtetit. Por ndërhyrja e hetuesve më 16 janar nuk ishte e beftë.
Nga veprimet e para hetimore të BKH-së, rezultoi se organizatorët e kësaj veprimtarie kriminale kishin ngritur një strukturë të sofistikuar sigurie, me disa perimetra mbrojtës, duke përdorur jo vetëm kamerat filmike statike, por edhe personel civil vëzhgimi, jashtë kësaj Qendre.
Vëzhguesit nuhatën se ishin nën lupën e hetuesve dhe mbrëmjen e datës 15 janar ata boshatisën qendra e thirrjeve në kullën luksoze “Atti Tower”, në rrugën “Ibrahim Rugova”, përballë Katedrales Ortodokse, dhe disa materiale u asgjësuan. Brenda pak orësh ky aktivitet u ringrit në godinën “Downtown One”, në Bulevardin Bajram Curri ku dhe u arrestuan në flagrancë punonjësit, të cilët kishin transportuar gjatë natës material. Pas kapjes në flagrancë të këtyre shtetasve, hetuesit kanë bërë kontrollin me iniciativë të ambientit në katin e 5-të të godinës, ku është konstatuar një Qendër tjetër Thirrjesh, në ndërtim e sipër.
Aty u gjetën pajisje kompjuterike, telefona, hard disqe, laptopë, karta të ndryshme SIM, dokumente, blloqe me shënime. Gjatë kontrolleve të ushtruara në 28 ambiente; banesa, automjete, zyra, garazhde, etj, janë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale, qindra pajisje kompjuterike të cilat janë në proces verifikimi, sisteme monitorimi të kamerave, sisteme të rrjetit kompjuterik, pajisje memorizuese, server, dokumente të Qendrës së Thirrjeve, subjektit “Infinite” shpk dhe subjekteve të tjerë në proces verifikimi.Gjithashtu janë sekuestruar edhe automjete të përdorur nga autorët e dyshuar, motomjete si dhe një automjet luksoz i markës Ferrari, që dyshohet se i përket organizatorëve të këtij aktiviteti.
Hetimet nisën pas paraqitjes së gazetarëve italianë të emisionit investigativ “Le Iene”, që trasnmetohet në Mediaset të cilët të infiltruar si punonjës mundën të siguronin të dhëna dhe ja paraqitën prokurorisë së posaçme. Nga këto të dhëna del se nga Shqipëria bëheshin thirrje drejt qytetarëve europian duke i bindur të investojnë në kripto pasi do fitojnë shuma të mëdha por gjithçka ishte mashtrim pasi pasi kryej investimi portofoli virtual zhdukej.
Top Channel