Më 3 dhjetor 2025 Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë mori në shqyrtim dhe vendosi t’i japë miratimin paraprak, për licensim, një banke të re në Shqipëri, bankës së parë 100% digjitale, në sistemin tonë bankar.
Një investim sa interesant aq edhe i domosdoshëm, që pritet të nisë një epokë të re, në veprimtarinë bankare në vend.
Drejtoresha Ekzekutive e Përgjithshme e Jet Bank, Fatbardha Rino, në një intervistë eksluzive në Top Story, ka shpjeguar se si erdhi ky projekt në Shqipëri, si ka vijuar procesi i licensimit, kush është skuadra e profesionistëve me eksperiencë mbi 20 vjeçare në tregun bankar dhe me cilët partnerë ndërkombëtarë po bashkëpunojnë për funksionimin dhe ndërtimin e arkitekturës së sigurt teknologjike, të Jet Bank.
Rino ka prezantuar Jet Bank si një model tjetër funksionimi, si një bankë native digjitale, e ndërtuar nga zero, që synon të ndryshojë mënyrën, se si individët dhe bizneset do të menaxhojnë financat e tyre. Një bankë digjitale, ndryshe nga një bankë tradicionale ndërtohet mbi arkitekturë teknologjike të testuar, mbi partnerë ndërkombëtarë dhe mbi standarde të larta sigurie.
Backbase, Facilization, Oracle Flexcube, Oracle Cloud Infrastructure, Microsoft Azure, Amazon Web Services, Cloudflare, Mastercard, Jumio etj janë disa nga brandet e ekosistemit të partnerëve, platformave globale të njohura dhe të certifikuara, të cilat janë pjesë e praktikave standarde në tregjet financiare të Bashkimit Evropian dhe Mbretërisë së Bashkuar.
“Të gjithë këta janë emra shumë të rëndësishëm, janë brand-e internacionale, të provuar, të testuar në kohë dhe që kanë ndërtuar bërthamën apo bazën teknologjike, jo vetëm për Jet Bank, po për gjithë botën. Është shumë e domosdoshme që themelimi i një bankë digjitale të re të vendoset mbi baza shumë të sigurta, mbi baza të aktorëve që e kanë bërë, e kanë provuar dhe që mund të të mbështesin, për gjithë teknologjinë që do të vendoset. Sepse besimi i një banke digjitale është i bazuar tek teknologjia. Ka një ndryshim shumë të madh në mënyrës se si një banke digjitale, vjen në treg, krahasuar me bankën klasike. Kjo nuk është sesi e kemi krijuar ne, ekziston prej një dekade në Europë. Mblidhen një grup investitorësh, të cilët vendosin për tregje, ku ata do të zhvillojnë një bankë digjitale. Ne sot kemi investitorë nga të gjitha vendet e botës dhe themelues. Ndërsa vijojmë të jemi të hapur për diskutime me investitorë të ndryshëm, të rinj, që janë të interesuar për investime të tilla”- u shpreh Drejtoresha Ekzekutive e Jet Bank, znj. Fatbardha Rino.
Gjatë intervistës Rino ka shpjeguar procesin e lincensimit për Jet Bank kalon, duke i vlerësuar procedurat e institucioneve shqiptare, pasi bankat janë stabiliteti i ekonomisë së një vendi dhe si e tillë kërkon një përkushtim të madh profesional.
“Të gjitha bankat në Shqipëri qofshin tradicionale apo digjitale kalojnë një proces shumë rigoroz. Mund të them që janë pak më komplekse e rigoroze në rastin tonë, ekzaktësisht për të kuptuar pjesën e investitorëve. Kur them rigoroz e kam fjalën që nga kontrolli i investitorëve, a kanë kapitalin e duhur, cili është burimi i kapitalit, a kanë eksperiencën e duhur financiare deri edhe tek reputacioni i tyre, çfarë dhe ku ata kanë investuar. Protokoll ky që ndiqet jo vetëm për investitorët por edhe për grupin ekzekutiv të bankës.”- shpjegoi ajo.
E pyetur nëse përdorimi i bankës do të jetë i thjeshtë, Rino e përmblodhi filozofinë e Jet Bank në një parim themelor: “Sa më komplekse të jetë teknologjia nga pas, aq më i thjeshtë është përdorimi për njerëzit, individë apo biznese. Ne duam të ndërtojmë një bankë, jo vetëm një platformë apo app, e cila të jetë shumë e thjeshtë, që njerëzit e çdo gjenerate, të menaxhojnë financat dhe paratë, në mënyrën më të thjeshtë të mundshme.”
Rino u ndal edhe tek ekipi shqiptar, që e bën të mundur këtë standard të lartë dhe me vizion, duke folur për përvojën e tyre 20 vjet në treg, duke nënkuptuar që Jet Bank ndonëse është një bankë 100% digjitale, kolonën më të rëndësishme ka njerëzit, që e bëjnë të mundur efikasitetin e kësaj strukture.
Top Channel