Nga: Endi Tufa

Vitin e shkuar, qeveria shqiptare prezantoi me bujë të madhe atë që u cilësua si “Rilindja e Infrastrukturës Sportive”. Dritat e projektorëve u ndezën, arkitektë me famë botërore shtrënguan duart me zyrtarët në Tiranë, dhe renderat 3D premtuan një të ardhme futuriste për stadiumet e Durrësit (“Niko Dovana”), Vlorës (“Flamurtari”) dhe Korçës (“Skënderbeu”).

Modeli dukej i thjeshtë në letër, i kopjuar nga suksesi i “Air Albania” në kryeqytet: Qeveria ofron tokën dhe lejet zhvillimore, ndërsa privati ndërton stadiumin në këmbim të hapësirave tregtare dhe kullave rezidenciale. Por, ndërsa kalendari shënoi datën 30 Shtator 2025, afati i fundit për dorëzimin e ofertave nga investitorët, ajo që mbeti pas nuk ishin eskavatorët në punë, por një heshtje shurdhuese.

“Yjet” e Arkitekturës dhe rojektet në letër

Qeveria nuk kurseu në përzgjedhjen e “vitrinës”. Konkursi ndërkombëtar shpalli fitues studio prestigjioze, të cilat sollën koncepte që synonin të transformonin jo vetëm fushat e blerta, por gjithë indin urban të qyteteve përkatëse.

  • ⁠ ⁠Durrës (Stadiumi “Niko Dovana”): Fitues u shpall studioja belge 51N4E. Projekti i tyre parashikonte heqjen e rrethimit të stadiumit, duke e kthyer atë në një park të hapur për qytetarët kur nuk ka ndeshje, të rrethuar nga kulla banimi dhe shërbimi që do të financonin veprën.
  • ⁠ ⁠Vlorë (Stadiumi “Flamurtari”): Fitues u shpall studioja japoneze Fujiwaramuro Architects. Projekti i tyre, mjaft avangardë, propozonte një strukturë që ngrihej mbi qytet, duke integruar stadiumin me zona hotelerie dhe komerciale të luksit, duke synuar turizmin elitar.
  • ⁠ ⁠Korçë (Stadiumi “Skënderbeu”): Fitues ishte studioja daneze CEBRA. Koncepti i tyre bazohej te natyra dimërore dhe kultura e qytetit, duke propozuar një kompleks sportiv që shërbente edhe si park, me ndërtesa të ulëta por të shtrira që respektonin arkitekturën lokale.

Kushti i qeverisë ishte i qartë: Partneritet Publik-Privat. Shteti pagoi për “ëndrrën” (projektimin), ndërsa miliardat për “realitetin” (ndërtimin) duhet t’i gjente privati.

Dështimi i afatit dhe “arratisja” e investitorëve

Më 30 Shtator 2025, afati zyrtar përfundoi. Rezultati? Asnjë interes serioz dhe i qëndrueshëm për të marrë përsipër barrën financiare të këtyre kolosëve.

Rasti më flagrant, dhe ai që shërben si “këmbanë alarmi” për dështimin e këtij modeli ekonomik jashtë Tiranës, është ai i Durrësit. Për stadiumin “Niko Dovana”, fillimisht u raportua një interesim konkret. Një grup investitorësh iu bashkua nismës, duke dhënë shpresë se Durrësi do të ishte kantieri i parë. Por, entuziazmi zgjati më pak se një muaj.

Pas bërjes së llogarive reale – kostoja e çelikut, betonit, dhe mbi të gjitha, kthimi i investimit (ROI) – investitori u tërhoq në heshtje. Matematika ekonomike thjesht nuk dilte. Të ndërtosh një stadium modern me standarde të UEFA-s kërkon një shumë kolosale parash, të cilën shitja e apartamenteve apo njësive tregtare në Durrës (pavarësisht çmimeve në rritje) nuk arrin ta justifikojë me të njëjtën shpejtësi dhe siguri si në Tiranë.

“Bëhuni pjesë e së ardhmes” – Apo pjesë e dështimit?

Sot, nëse vizitoni faqen zyrtare të shpalljes së projekteve të qeverisë, do të ndesheni me një realitet paradoksal. Nën slloganin frymëzues “Bëhuni pjesë e së ardhmes”, thirrja figuron ende e hapur.

Statusi “në vazhdim të disponueshëm” është një eufemizëm burokratik për të thënë se nuk ka asnjë ofertë. Rihapja e çështjes dhe shtyrja e heshtur e afateve tregon se qeveria është në ngërç. Ajo ka në dorë tre projekte të mrekullueshme arkitekturore që rrezikojnë të mbeten vetëm makete të shtrenjta në hollet e bashkive.

Pse nuk funksionon modeli “Air Albania” në rrethe?

Shkaku i mungesës së interesit nuk është mungesa e kapitalit në treg, por mungesa e logjikës financiare në këto projekte specifike:

1.⁠ ⁠Fuqia Blerëse: Një kullë në qendër të Tiranës (tek Air Albania) shitet me 3000-4000 Euro/m2 ende pa u hedhur themelet. Në Vlorë, Durrës apo Korçë, absorbimi i një volumi kaq të madh ndërtimi (që kërkohet për të mbuluar koston e stadiumit) është shumë më i ngadaltë dhe me çmime më të ulëta.

2.⁠ ⁠Rrisku i Lartë: Tërheqja e investitorit në Durrës tregoi se marzhi i fitimit është tepër i ngushtë për të justifikuar rriskun. Të ndërtosh një objekt publik (stadiumin) është kosto e pastër (“sunk cost”) që duhet rekuperuar nga pjesa komerciale. Nëse pjesa komerciale nuk shitet shpejt, investitori falimenton.

3.⁠ ⁠Mungesa e Garancisë Shtetërore: Qeveria kërkon që privati t’i marrë të gjitha rrisqet. Në një klimë ekonomike globale të pasigurt, askush nuk dëshiron të hedhë dhjetëra miliona euro për betonin e tribunave, pa pasur një garanci fitimi të shpejtë.

Strategjia e qeverisë për të deleguar infrastrukturën publike tek privati duket se ka prekur murin. Thirrja e hapur pafundësisht pas 30 Shtatorit nuk është shenjë fleksibiliteti, por dëshpërimi. Pa një rishikim të kushteve – qoftë përmes subvencionimit të një pjese të ndërtimit nga buxheti i shtetit, apo dhënies së incentiva fiskale më të forta – projektet e 51N4E, Fujiwaramuro dhe CEBRA do të mbeten dëshmi dixhitale të një ambicieje që nuk preku kurrë tokën.

Deri atëherë, “e ardhmja” ku investitorët ftohen të bëhen pjesë, duket se do të presë gjatë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB