Bayern Munich ka mbyllur gjysmën e parë të Bundesligës në mënyrë perfekte dhe me shifra historike.

Pas fitores 3-1 ndaj Këlnit, bavarezët arritën rezultatin më të mirë të tyre ndonjëherë pas 17 javësh kampionat, duke vendosur një rekord të ri në elitën e futbollit gjerman.

Skuadra e drejtuar nga Vincent Kompany e përfundoi fazën e parë me 47 pikë dhe një golavarazh mbresëlënës prej +53, duke kaluar kështu rekordin e mëparshëm të vendosur nga Bayern i Pep Guardiolës në sezonin 2013/14, kur kishin po 47 pikë, por me diferencë golash +35.

Në deklaratat pas ndeshjes, trajneri belg tregoi përulësi dhe vuri theksin te puna e lojtarëve: “Është e vështirë të flas për rekorde, sepse nuk është në natyrën time. Nuk bëhet fjalë për tituj. U thashë djemve se ajo që kanë arritur është diçka e jashtëzakonshme, sepse janë ata që e realizuan gjithçka në fushë”. Kompany shtoi se fokusi tashmë duhet të zhvendoset te vazhdimësia: “Nga ky moment nis gjysma e dytë e sezonit dhe gjithçka rifillon nga zero. Nuk jam mësuar të festoj rekorde, por i përgëzova lojtarët për punën dhe mentalitetin që kanë treguar”.

Kampionët në fuqi të Gjermanisë nuk kanë kohë për pushim, pasi të shtunën në mbrëmje i pret një përballje e fortë ndaj RB Leipzig, skuadër që aktualisht mban vendin e tretë në renditje. Bayern synon të vazhdojë ecurinë pozitive dhe të ruajë distancën kryesuese edhe në gjysmën e dytë të sezonit.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB