Ankesa për fjalorin e madh shqip/ Akademia e Shkencave në Kosovë thotë se nuk u përfshi, reagon pala shqiptarë: I ftuam, por s’pranuan

15/01/2026 19:59

Akademia e Shkencave e Kosovës, nuk është bërë pjesë e projektit për Fjalorin e Madhe të Gjuhës Shqipe.

Akademikët nga Kosova thonë se pa përcaktimin e parimeve të punës dhe zgjidhjes së dilemave, kryesisht për çështjen e leksikut, nuk kanë pranuar të marrin pjesë. Nga ana tjetër, sipas Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, ftesa për pjesëmarrje në hartimin e Fjalorit iu drejtua të gjithë specialistëve, por pranuan vetëm anëtarët e Institutit Albanologjik të Prishtinës.

250 mijë kuptime kanë mbi 105 mijë fjalët e përfshira në Fjalorin e Madh të Gjuhës Shqipe. Krahas fjalorëve të marrë si burime, janë përdorur edhe veprat e shkrimtarëve që kanë pasuruar shqipen.

“U fut në sistem e gjithë vepra e Ismail Kadaresë, Dritëro Agollit, Fatos Arapit, Rexhep Qoses, Sabri Hamitit, Anton Çetës, Murat Isakut. Është krijuar për shembull fjala ‘thashathemnajë’, që e përdor shumë edhe Kadareja. Kemi shumë fjalë të tilla si ‘qiellnajë’, ‘lulnajë’, ‘bredhnajë’. Janë formime të bukura jo vetëm nga ana e muzikalitetit, por edhe si ligje të formimit të brendshëm të shqipes, kanë zënë vend”, u shpreh Drejtori i Institutit të Gjuhësisë, Akad. Prof. Dr. Valter Memisha.

Në fjalor janë shtuar mbi 35 mijë njësi nga të folmet dialektore, ndërsa akademiku Valter Memisha shpjegon rregullin që është përdorur në përzgjedhjen e tyre: “Kemi mënjanuar ato që quhen dialektizma, krahinorizmat dhe janë futur ato fjalë që mund të vijnë nga dialektet, por duhet të ngrihen në nivelin e shqipes standarde, duke bërë edhe shqiptimin sipas shqipes standarde. Janë shtuar ndjeshëm mbiemrat me ‘shëm’. I jemi borxhlinj gegërishtes”.

Sa i takon huazimeve, janë përfshirë ato fjalë që përdoren nga pjesa më e madhe e shqiptarëve ose që sjellin kuptim të ri.

“Nëse shqiptimi është ‘fejsbuk’, kështu duhet të shkruhet. Ka një kontradiktë për arsye se Kongresi i Drejtshkrimit shumë fjalë që janë me origjinë sidomos nga gjuhët neolatine, i shkruan si në origjinal. Duhet të shohim edhe prirjet e shqiptimit”, shprehet Prof. Memisha.

Ky fjalor mbështetet në parimet leksikografike të traditës dhe ato bashkëkohore, vendase e ndërkombëtare me funksion informues.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB