Arratisja e Ndocit nga spitali i Durrësit ka qenë një skenar i mirëorganizuar deri në detaj, ku edhe hallkat bazë të sigurisë janë lënë jashtë loje, janë “harruar”.
Jo vetëm protokolli i numrit të efektivëve që duhet të shoqërojnë një të dënuar a paraburgosur, por as mbështetja nga Policia e Durrësit nuk është kërkuar. Policia nuk është njoftuar për shoqërimin e 38-vjeçarit drejt spitalit, siç është detyrimi.
Burime bëjnë me dije se policia është vënë në lëvizje vetëm pasi arratisja kishte ndodhur, duke reaguar në kushte emergjente për gjurmimin dhe kapjen e të dënuarit. Nga verifikimet paraprake rezulton se transferimi i Altin Ndocit drejt spitalit është kryer pa asnjë komunikim zyrtar nga Burgu i Durrësit, në kundërshtim me procedurat e sigurisë që parashikojnë njoftim dhe shoqërim nga strukturat e rendit.
Paradoksal është fakti se po dje Burgu i Durrësit kishte kërkuar shoqërimin e policisë për një tjetër të dënuar, kërkesë e përmbushur si zakonisht nga uniformat blu, por asnjë njoftim për shoqërimin e Ndocit.
Arratisja çoi dhe në arrestimin e 8 personave, mes të cilëve dhe Violeta Coku, specialistja e informacionit.
Top Channel