Tensionet në Lindjen e Mesme, SHBA merr masa, redukton personelin në bazën ajrore në Katar
Dy mjekë janë arrestuar në Rusi pas vdekjes së nëntë foshnjave në një spital materniteti në Siberi gjatë këtij muaji.
Sipas Komitetit Hetimor të Rusisë, foshnjat e porsalindura ndërruan jetë gjatë pushimeve të Vitit të Ri në qytetin Novokuznetsk.
Autoritetet nuk kanë dhënë ende një shkak zyrtar për vdekjen e tyre.
Rasti ka shkaktuar zemërim të madh në mbarë Rusinë.
Të gjitha foshnjat kanë lindur në Maternitetin Nr. 1 të Novokuznetsk-ut në periudhën 1–12 janar, ndërsa vdekja e parë është regjistruar më 4 janar, bëri të ditur zëdhënësja e Komitetit Hetimor, Svetlana Petrenko.
Pa dhënë detaje të mëtejshme, autoritetet njoftuan se mjeku kryesor i spitalit dhe shefi i repartit të kujdesit intensiv janë ndaluar për “kryerje të papërshtatshme të detyrave zyrtare dhe profesionale në organizimin dhe ofrimin e kujdesit mjekësor”.
Komiteti Hetimor bëri të ditur se të dyshuarit po bashkëpunojnë me hetimet, ndërsa po shqyrtohet ngritja e akuzave dhe vendosja e masave të paraburgimit.
Autoritetet publikuan gjithashtu një video ku shihet një person duke u shoqëruar nga policia dhe një tjetër duke nënshkruar dokumente në prani të një oficeri.
Sipas njoftimit zyrtar, viktimat dhe dëshmitarët janë marrë në pyetje dhe janë sekuestruar materiale të ndryshme si pjesë e hetimeve për mbledhjen e provave të tjera.
Ndërkohë, po kryhen autopsitë për të përcaktuar shkaqet e sakta të vdekjes.
Agjencia e lajmeve Interfax raportoi se Ministria e Shëndetësisë e Rajonit të Kemerovos, e cila po zhvillon gjithashtu një hetim të veçantë, ka deklaruar se foshnjat kishin vuajtur nga një infeksion i rëndë intrauterin.
Spitali ka njoftuar se përkohësisht nuk po pranon pacientë të rinj, për shkak të një rritjeje mbi normalen të infeksioneve të rrugëve të frymëmarrjes.
Top Channel