Inside Story/ Vetëm 1 vit më parë u investuan qindra milionë lekë, por… kanali i Martinës në Vjosë përmbyti Ferrasin

14/01/2026 22:12

Fshati Ferras, që ndodhet në anën tjetër të Vjosës, është gjunjëzuar plotësisht.

Ai bën pjesë në bashkinë e Fierit dhe çdo derë shtëpie është e hapur. Të gjithë, me fshesa dhe lecka në duar, tentojnë të pastrojnë ujin dhe baltën që u ka zaptuar shtëpitë.

I zhvendosur në këtë vend që prej vitit 1983 për shkak të përmbytjeve të shpeshta, dhimbja në këtë fshat është ulur këmbëkryq.

“Ja siç e shikoni, çdo gjë ka dalë jashtë funksioni. Kemi ngelur çdo 2 vjet duke blerë mobilje të reja. Sa i kishim bërë”, u shpreh banori.

Banorët tregojnë se u përmbytën rreth orës 2 të natës, çka ua bëri të pamundur të shpëtonin ndonjë gjë. Megjithëse i kishin marrë masat duke ngritur mobiljet, uji ka depërtuar kudo.

“Kjo është shtëpia e vëllait, jetojnë jashtë. Ka humbur çdo gjë. Ky është mundi i një jete”, u shpreh banori.

Me shtëpi të reja, por vetëm me banorë të moshuar, ata nuk e kanë të vështirë të kujtojnë se nuk kanë përjetuar asnjëherë një përmbytje si kjo. Të pashpresë, ata nuk kanë besim te dëmshpërblimi.

“Në përmbytjet e kaluara m’u vlerësuan 4 mln lekë dëmet dhe mora vetëm 2…”, u shpreh banori.

“Po çfarë dëmshpërblimi. Këtu ka marrë fund çdo gjë… ku ka lekë për gjithë këto dëme”, u shpreh banori.

Shumica e shtëpive të fshatit Ferras janë të mbushura me ujë, të cilin ata vetë e kanë të pamundur ta largojnë. Forcat e ushtrisë, që janë në terren, e kanë të vështirë të shkojnë në çdo shtëpi, duke krijuar pakënaqësi mes banorëve.

Pas situatës alarmante të krijuar nga përmbytjet, punëtorët e bashkisë janë shpërndarë kudo nëpër fshat, duke hapur dhe pastruar kanalet e ndryshme kulluese.

“Tani është shumë vonë, këto gjëra duhet të ishin bërë para se të fillonin shirat”, u shpreh banori.

Grupe të ndryshme të bashkisë së Fierit kanë dalë në terren për të identifikuar fillimisht se sa objekte janë të përmbytura dhe më pas për të bërë një bilanc të dëmeve.Ky është kanali Vjosë–Levan–Fier, që kalon mes për mes fshatit Ferras. I njohur ndryshe si kanali i fshatit Martinë, është pikërisht çarja e tij që solli përmbytjen e fshatit.

Siç duket edhe nga ky postim në rrjetet sociale i kryetarit të bashkisë, Armando Subashi, vetëm një vit më parë është ndërhyrë për rehabilitimin e tij.

Mirëpo banorët pretendojnë se gjatë ndërhyrjes ai u ngushtua dhe u bë në formë U-je, ndërsa është lënë pa përfunduar rreth 300–400 metra. Si pasojë, u zvogëlua sasia e ujit që mund të transportonte, duke bërë që të dalë mbi nivelin maksimal dhe të vërshojë në fshat. Sasia e madhe e ujit ka shembur edhe muret mbrojtëse që kishin vendosur vetë banorët përreth tij, madje në disa raste ka shembur edhe portat e hekurit.

Referuar të dhënave nga prokurimet, bashkia e Fierit ka hapur një tender për rehabilitimin e kanalit ujitës Vjosë–Levan–Fier, dega e Martinës, më 5 korrik të vitit 2024.

Fituesi me 37.8 mln lekë pa TVSH është shpallur kompania Llazo SHPK, në pronësi të Anea dhe Alqi Llazo. Kjo kompani ka fituar si operator i vetëm 34 tendera, me një vlerë prej 604 mln lekë.

Fituesi është shpallur më 22 korrik të vitit 2024, por e gjithë kjo procedurë ngre pikëpyetje për mënyrën se si është tenderuar ky projekt.

Ky është buletini nr. 28 i majit 2024 i Agjencisë së Prokurimeve Publike. Siç edhe shihet nga ky njoftim, kompania Llazo është përjashtuar nga çdo procedurë tenderimi për 6 muaj, duke filluar nga data 20 maj 2024 deri më 20 nëntor 2024.

Është e paqartë se si një kompani që ka qenë e përjashtuar për fshehje të të dhënave nga APP ka arritur të shpallet fituese e një tenderi të majmë nga bashkia e Fierit.

“Fieri më tepër ka kanale bujqësore sesa kanale të forta urbane të kullimit. Ajo që kuptojmë është se këto kanale gjithmonë e më tepër janë zhdukur nga hartografia e vendimmarrjes publike bashkiake”, u shpreh urbanisti Artan Kacani.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB