Arratisja spektakolare e Altin Ndocit nga Spitali i Durrësit, 8 të arrestuar, mes tyre zyrtarë të burgut dhe kryeinfermieri

14/01/2026 11:12

Tetë zyrtarë të burgut Durrës janë arrestuar pas arratisjes spektakolare të Altin Ndocit ditën e djeshme.

Më konkretisht në pranga ranë gjashtë efektivët e policisë që u morën me shoqërimin e të burgosurit, Zv/shefi i policisë së burgut (shefi ishte me leje) si dhe kryeinfermieri i spitalit.

Ndalimet janë kryer nga Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm në Sistemin e Burgjeve dhe Prokuroria.

Në IEVP Durrës janë ndaluar dhe shoqëruar në Komisariatin e Policisë Durrës; Komisar Destemon Pazaj, Komisar Violeta Uka, K/Insp. Dorjan Saraçi, Insp. Sali Ferollari, Insp. Fatjon Baci, Insp. Preng Marvataj, K/Insp. Aranit Çela dhe K/infermeri Aulon Çuku referuar ngjarjes së ndodhur mbi arratisjen e Ndocit.

Kush është Altin Ndoci?

39-vjeçari ndodhej në paraburgimin e Durrësit, ndërsa emri i tij është i njohur në botën e krimit dhe hetohet nga SPAK me disa akuza.

Ndoci njihet si person i ‘rekrutuar’ nga Talo Çela, dhe në dosjen e SPAK akuzohet për përkrahja e autorit të krimit, konkretisht këtij të fundit, gjatë viteve 2020 – 2021 në qytetet Tiranë, Durrës dhe Elbasan, në lidhje me vrasjen e Dorian Shkoza, Anxhelo Avdia, Besmir Haxhia e Viktor Haxhia.

Po ashtu ai akuzohet për “Vrasja në rrethana te tjera cilësuese”, ndaj dy ose më shumë personave, e kryer më shumë se një herë, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, të kryera në bashkëpunim të veçantë atë të grupit të strukturuar kriminal, dhe “Grupi i strukturuar kriminal”, (në rolin e pjesëmarrësit) dhe “Kryerja e veprave penale nga grupi i strukturuar kriminal”.

Si ndodhi arratisja?

Rreth orës 13.00 të së martës ai është shoqëruar së bashku me një të dënuar tjetër nga dy efektivë policie në pavionin e infektivit. Në pritje të vizitës mjekësore ai ka kërkuar të shkojë në tualet. Me të dalë nga aty ka përfituar dhe ka goditur në befasi efektivin e policisë së burgjeve që po e ruante dhe menjëherë është larguar me vrap, ku e priste një automjet tip Audi i bardhë me të cilin është larguar.

Efektivi që e ndoqi Ndocin në arratinë e tij ka qëlluar me armën e tij të shërbimit në tokë dhe plumbi ka bërë rikoshet. Predha e tij përfundoi në shkallët e Infektivit, ndërsa gëzhoja e tij nuk është gjetur ende.

Nga hetimet e deritanishme rezulton se nuk janë respektuar protokollet e shoqërimit për numrin e efektivëve të policisë së burgjeve që duhet të shoqërojnë personat e paraburgosur apo të dënuar gjatë vizitave të tyre mjekësore.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB