Shoqata Kombëtare e gjyqtarëve të Republikës së Shqipërisë kundërshton me shqetësim projektligjin e Kuvendit për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve.
Në një deklaratë publike deklarojnë se kjo paketë ndryshime të dërguara nga Kuvendi për konsultim, rrezikon të bjerë ndesh me parimet themelore të shtetndërtimit, si ndarja dhe balancimi i pushteteve dhe pavarësia e gjyqësorit.
Shoqata vlerëson si shumë problematike nga pikëpamja kushtetuese normën përmes së cilës propozohet se kryetarët në detyrë të gjykatave të shkallës së parë dhe të apelit të juridiksionit të përgjithshëm dhe atij administrativ konfirmohen si kryetarë të emëruar deri në datën 31 dhjetor 2028, duke shmangur sakaq garën për këto poste drejtuese në pushtetin gjyqësor.
Kjo dispozitë, sipas Shoqatës “tenton të uzurpojë pushtetin që Kushtetuta i ka dhënë Këshillit të Lartë Gjyqësor në emërimin e kryetarëve të gjykatave”.
“Emërimi në pozicionin e kryetarit të gjykatës konsiderohet si ngritje në detyrë sipas ligjit nr. 96/2016 dhe për këtë mund të disponojë vetëm Këshilli i Lartë Gjyqësor. Së dyti, në mënyrë të çuditshme, kjo dispozitë shtrihet vetëm ndaj gjykatave të juridiksionit të përgjithshëm dhe atyre administrative dhe nuk përfshin gjykatat e posaçme.
Së treti, projektligji nuk mban në konsideratë faktin se KLGJ-ja tashmë ka miratuar aktin normativ përkatës lidhur me procedurën e zgjedhjes së kryetarëve të gjykatave të shkallës së parë dhe të apelit, akt i cili ka hyrë në fuqi në datën 1 janar 2026 dhe pritet t’i sjellë efektet shumë shpejt, me hapjen e garës për postet e kryetarëve në këto gjykata, si dhe faktin se për një periudhë prej gati gjashtë vitesh gjykatat e shkallës së parë dhe të apelit janë drejtuar nga zëvendëskryetarët, të cilët kanë ushtruar funksionet e kryetarit në detyrë.
Kjo gjë e bën jo vetëm të panevojshëm caktimin e kryetarëve të gjykatave nga ana e Kuvendit, por sjell edhe cenimin e parimeve kushtetuese të ndarjes së pushteteve dhe pavarësisë së pushtetit gjyqësor”, thuhet në këtë deklaratën e siguruar nga gazetarja e Top Channel Anila Hoxha.
Duke kujtuar se tentativa të ngjashme për miratimin e normave të tilla me karakter ad personam kanë dështuar pasi janë përballur me gjykimin kushtetues, Shoqata i bën thirrje Kuvendit “të mos përpiqet të cenojë standardet e shtetit të së drejtës”.
Deklarata e plotë:
Shoqata Kombëtare e Gjyqtarëve të Republikës së Shqipërisë është një njohur me projektligjin “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 96/2016 “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë””, si pjesë e një pakete ndryshimesh të ligjeve të reformës në drejtësi, të dërguar nga ana e Kuvendit, për konsultim.
Në parim, Shoqata është shprehur gjithmonë e gatshme për të bashkëpunuar me Kuvendin dhe çdo institucion tjetër në përmirësimin e kuadrit ligjor që normon statusin e magjistratëve si dhe organizimin dhe veprimtarinë e organeve të drejtësisë dhe të qeverisjes së tyre.
Megjithatë, kjo Shoqatë thekson se çdo ndryshim normativ duhet të jetë i kujdesshëm, të mos bjerë ndesh me parimet themelore të shtetndërtimit, si ndarja dhe balancimi i pushteteve dhe pavarësia e gjyqësorit, si dhe duhet të synojë perfeksionimin e ligjeve bazë të reformës në sistemin e drejtësisë dhe jo të zhbëjë sukseset e arritura deri tani në këtë drejtim.
Shoqata konstaton se në projektligjin “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 96/2016 “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë””, të paraqitur nga ana e Kuvendit, ndër të tjera, prezantohet edhe një normë e cila vlerësohet si shumë problematike nga pikëpamja kushtetuese.
Konkretisht bëhet fjalë për nenin 12 të këtij projektligji, që synon të shtojë nenin 170/3 në ligjin nr. 96/2016 “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve ne Republikën e Shqipërisë”. Nëpërmjet kësaj norme, kryetarët në detyrë të gjykatave të shkallës së parë dhe të apelit të juridiksionit të përgjithshëm dhe atij administrativ konfirmohen si kryetarë të emëruar deri në datën 31 dhjetor 2028, duke shmangur sakaq garën për këto poste drejtuese në pushtetin gjyqësor.
Shoqata Kombëtare e Gjyqtarëve të Republikës së Shqipërisë thekson se një dispozitë e tillë, së pari, tenton të uzurpojë pushtetin që Kushtetuta i ka dhënë Këshillit të Lartë Gjyqësor në emërimin e kryetarëve të gjykatave. Në nenin 147/a, pika 1, shkronja “a”, të Kushtetutës, parashikohet se Këshilli i Lartë Gjyqësor emëron, vlerëson, ngre në detyrë dhe transferon gjyqtarët e të gjitha niveleve.
Emërimi në pozicionin e kryetarit të gjykatës konsiderohet si ngritje në detyrë sipas ligjit nr. 96/2016 dhe për këtë mund të disponojë vetëm Këshilli i Lartë Gjyqësor. Së dyti, në mënyrë të çuditshme, kjo dispozitë shtrihet vetëm ndaj gjykatave të juridiksionit të përgjithshëm dhe atyre administrative dhe nuk përfshin gjykatat e posaçme. Së treti, projektligji nuk mban në konsideratë faktin se KLGJ-ja tashmë ka miratuar aktin normativ përkatës lidhur me procedurën e zgjedhjes së kryetarëve të gjykatave të shkallës së parë dhe të apelit, akt i cili ka hyrë në fuqi në datën 1 janar 2026 dhe pritet t’i sjellë efektet shumë shpejt, me hapjen e garës për postet e kryetarëve në këto gjykata, si dhe faktin se për një periudhë prej gati gjashtë vitesh gjykatat e shkallës së parë dhe të apelit janë drejtuar nga zëvendëskryetarët, të cilët kanë ushtruar funksionet e kryetarit në detyrë. Kjo gjë e bën jo vetëm të panevojshëm caktimin e kryetarëve të gjykatave nga ana e Kuvendit, por sjell edhe cenimin e parimeve kushtetuese të ndarjes së pushteteve dhe pavarësisë së pushtetit gjyqësor.
Shoqata sjell në vëmendje se edhe tentativa të ngjashme për miratimin e normave të tilla me karakter ad personam kanë dështuar pasi janë përballur me gjykimin kushtetues. Përmendim këtu vendimin nr. 34, datë 10.04.2017, të Gjykatës Kushtetuese, me të cilin është shfuqizuar, ndër të tjera, neni 161, pika 3, e ligjit nr. 96/2016 “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, dispozitë e cila synonte të ndërpriste mandatin e Kryetarit të Gjykatës së Lartë si dhe të kryetarëve të gjykatave të tjera. Në këto rrethana, Shoqata fton Kuvendin e Republikës së Shqipërisë që të mos përpiqet të cenojë standardet e shtetit të së drejtës, duke dëmtuar arritjet e realizuara përmes ngritjes së organeve të reja të qeverisjes së pushtetit gjyqësor, pushtet i cili është në përfundim të procesit të reformimit si dhe që të mbajë në konsideratë jurisprudencën udhërrëfyese të Gjykatës Kushtetuese. Nga ana tjetër, ajo është në çdo moment e hapur për të bashkëpunuar dhe ofruar kontributin e saj në përmirësimin e procesit të ligjbërjes.
Top Channel