“Organizata jonë nuk është perfekte”, 113 vjetori i krijimit të Policisë së Shtetit, Proda mesazh për efektivët: Jemi në sfidë të përditshme

13/01/2026 11:45

Në ceremoninë e mbajtur sot në kuadër të 113 vjetorit të krijimit të policisë së Shtetit, kreu i Policisë Ilir Proda, u shpreh ndër të tjera se kjo strukturë është një gur themeli në rendin dhe ligjin.

“Nuk festojmë thjesht një përvjetor, por nderojmë një histori, një mision, një institucion që prej 113 vitesh qëndron në këmbë përballë sfidave”, tha Proda duke shtuar se 13 janari është një datë historike dhe jetike për vendin, sepse pa rend nuk ka liri dhe pa siguri nuk ka të ardhme.

“Organizata jonë ka ecur krah për krah me historinë e vendit, ka përballuar sfida të mëdha, tranzicione të vështira dhe momente vendimtare, duke ruajtur gjithmonë misionin e saj, mbrojtjen e jetës, pronës dhe sigurisë së qytetarëve. Rrugëtimi i saj është një histori sakrifice, guximi dhe përkushtimi, ku çdo uniformë flet për një detyrë, çdo emblemë për një frymë dhe çdo veprim për një premtim të patundur ndaj shoqërisë.

Gjatë këtyre 113 viteve, 231 punonjës policie, 231 Dëshmorë, më të mirët prej nesh, dhanë gjithçka, duke vendosur jetën e tyre mbi çdo rrezik, për të mbrojtur qytetarët dhe ligjin. Akti i tyre sublim krijoi bazamentin mbi të cilin ndërtohet besimi, forca morale dhe identiteti ynë institucional.

Sot e përjetë, ata janë motivi i misionit tonë, krenaria e Policisë dhe e gjithë shoqërisë. Emri i tyre është i skalitur në historinë e kombit. Në këtë rrugëtim 113-vjeçar kanë kontribuar gjenerata të tëra dhe sot shprehim mirënjohjen tonë për veteranët e Policisë, për kontributin dhe trashëgiminë që kanë lënë ndër breza”, tha ai.

“Viti që lamë pas tregoi fuqinë dhe vendosmërinë tonë, operacione të suksesshme kundër grupeve kriminale, luftë të pandërprerë ndaj kultivimit dhe trafikimit të narkotikëve, zbardhje të ngjarjeve kriminale, ulje të kriminalitetit, përballim të suksesshëm të sezonit turistik dhe të aktiviteteve me famë ndërkombëtare, si dhe zhvillim të Akademisë së Sigurisë si një qendër moderne dhe konkurruese për të rinjtë.

Të gjitha këto janë dëshmi se Policia e Shtetit nuk stepet, nuk thyhet dhe nuk ndalon kurrë. Ajo zhvillohet, trajnohet dhe punon çdo ditë më mirë, për qytetarin dhe ligjin. Përpos kësaj, organizata jonë nuk është perfekte, ashtu si dhe ne nuk jemi të tillë. Të gjithë ne jemi në sfidë të përditshme, sfidë me veten, sfidë me standardet, sfidë me pritshmëritë, për të mësuar nga gabimet dhe për t’u përmirësuar.

Mos harroni, të dashur kolegë, sakrificën tuaj të përditshme, ju jeni aty kur asnjë tjetër nuk është, në diell, në shi, në dëborë. Ju jeni telefonata e parë për çdo problem. Jeni modestë në misionin tuaj, por gjithmonë prezentë. Çdo operacion, çdo mision dhe çdo angazhim është provë se ligji nuk është thjesht një normë, por një realitet i prekshëm për qytetarët.

Rezultatet e vitit të kaluar tregojnë se bashkëpunimi dhe koordinimi me partnerët kombëtarë dhe ndërkombëtarë janë baza e suksesit tonë. Policia e Shtetit është tashmë një partner i besueshëm dhe i barabartë, e angazhuar në skuadra hetimore dhe operacione të përbashkëta kundër krimit të organizuar dhe krimeve globale, në funksion të rritjes së sigurisë kombëtare, rajonale dhe më gjerë. Profesionalizmi dhe besueshmëria e Policisë së Shtetit, përgjatë vitit 2025, u vlerësuan me çmime dhe tituj nga partnerët ndërkombëtarë.

Ne jemi ajo që bëjmë dhe jo ajo që flitet për ne, nëpërmjet sulmeve dhe përbaltjes së padrejtë ndaj kontributit të mijëra burrave dhe grave, djemve dhe vajzave që sakrifikojnë çdo ditë për të mirën e përgjithshme”, shtoi Proda.

 

Top Channel

DIGITALB DIGITALB