Qeveria e Groenlandës ka deklaruar se “nuk mund t`i pranojë në asnjë rrethanë” pretendimet e Donald Trump për të marrë kontrollin e ishullit strategjik, teksa sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, deklaroi se aleanca po punon për mënyrat e forcimit të sigurisë në Arktik.
Në çeljen e një jave kritike për territorin kryesisht të vetëqeverisur të Danimarkës, presidenti amerikan e ritheksoi edhe një herë interesin e tij për ishullin e pasur me minerale, duke pohuar publikisht se Shtetet e Bashkuara do ta marrin atë “në një mënyrë apo në një tjetër”.
Trumpi tronditi BE-në dhe NATO-n me refuzimin e tij për të përjashtuar përdorimin e forcës ushtarake si mënyrë për të siguruar kontrollin e Groenlandës, e cila mbulohet nga shumë prej mekanizmave të tyre mbrojtës, pasi Danimarka është anëtare e të dyjave. Të mërkurën, ministrja e jashtme e Groenlandës, Vivian Motzfeldt, dhe homologu i saj danez, Lars Løkke Rasmussen, pritet të takohen me sekretarin amerikan të shtetit, Marco Rubio, në Uashington.
Danimarka, e cila e ka bërë të qartë se një traktat i vitit 1951 tashmë i lejon SHBA-së të zgjerojë ndjeshëm praninë e saj ushtarake në territor, vazhdimisht ka deklaruar se ishulli nuk është në shitje dhe se shpreson në gjetjen e një zgjidhjeje diplomatike. Vetë qeveria e Groenlandës kujtoi edhe një herë se territori është “pjesë e mbretërisë së Danimarkës” dhe “si pjesë e bashkësisë daneze, anëtare e NATo-s, ndërsa sqaroi se do të shtonte përpjekjet për të siguruar që mbrojtja e vet të zhvillohej “brenda kornizave të NATO-s”.
Top Channel