Çahet argjinatura e Semanit/ Qindra hektarë tokë dhe 20 banesa nën ujë, banorët humbin kontaktet me familjarët

13/01/2026 10:17

Çarja e argjinaturës së lumit Seman, në disa segmente, ka përmbytur qindra hektarë tokë bujqësore në fshatin Hasturkas në Libofshë dhe 20 banesa.

Banorët të cilët kanë qëndruar përgjatë gjithë natës në gatishmëri shprehen të alarmuar nga situata.

Përgjatë gjithë natës janë evakuuar 9 persona të cilët janë strehuar tek të afërmit e tyre, ndërsa të tjerë janë të shqetësuar për fatin e të afërmve të tyre me të cilët kanë humbur kontaktet. Ndërkohë forcat e ushtrisë ndodhen me varka pranë zonës detare dhe pranë stallave të bagëtive për të evakuuar jo vetëm çobanët por edhe bagëtitë e rrezikuara.

Ne nuk po shikojmë më për bagëtitë, duam të shpëtojmë njerëzit, ata janë në det janë dy persona që ndodhen buzë detit atje ku kemi nxjerrë lopët. Shkuam dje për t’i nxjerrë vetë, por nuk mundëm se ishte çarë argjinatura, sot morëm gomone për të hyrë. Njerëzit nuk janë evakuuar, janë atje, po bëjnë tre ditë që nuk kanë ardhur, kemi 200 e ca kokë bagëti atje, por kryesorët janë njerëzit, të dalin njerëzit. Ne nuk dimë gjë se çfarë po bëhet. Nuk na ka njoftuar njeri, ishte ditë me diell edhe u bë përmbytje. Ne i nxorëm se e parashikuam dhe i nxorëm bagëtitë jashtë dhe zëvendësoheshim, një ditë rrija unë, një ditë rrinte çobani atje. Tani ne duam të nxjerrim njerëzit që janë atje”, shprehet banori i zonës.

Banorët fajësojnë njëzëri për situatën mosmarrjen e masave për forcimin e argjinaturës në pjesët më problematike të saj.

 

Top Channel

DIGITALB DIGITALB