Video/ Pamje tronditëse! Po luanin me çakmak pranë fuçive të naftës, dy të rinjtë filmohen kur hidhen në erë
Mohammad Baqer Qalibaf, Kryetari i Parlamentit të Iranit, përsëriti sot një paralajmërim të ashpër drejtuar Shteteve të Bashkuara, duke thënë se bazat ushtarake, anijet dhe personeli amerikan në të gjithë rajonin do të jenë në shënjestër në rast të ndërhyrjes së mundshme të Uashingtonit në Iran.
“Ejani dhe shikoni se çfarë do t’u ndodhë anijeve dhe bazave ushtarake amerikane në rajon. Ejani dhe digjuni në zjarrin e kombit iranian, aq rëndë sa të bëhet një mësim i përhershëm në histori për të gjithë sundimtarët shtypës amerikanë. Ejani dhe zbuloni se çfarë do t’ju ndodhë juve dhe rajonit”, tha ai.
Sipas ‘CNN’, ky paralajmërim u dha përmes televizionit shtetëror iranian Press TV, pas një periudhe tensionesh të rritura në vend, ku protestat masive antiqeveritare kanë shpërthyer dhe autoritetet iraniane janë përballur me një presion të jashtëzakonshëm.
Ky mesazh i Qalibaf vjen në një moment të tensionuar, pasi Presidenti Donald Trump ka paralajmëruar mundësinë e përdorimit të forcës ushtarake në Iran pas shpërthimit të protestave vdekjeprurëse.
“Ushtria po e shqyrton këtë dhe ne po shqyrtojmë disa opsione shumë të forta. Do të marrim një vendim”, kishte deklaruar Trump.
Protestat masive kanë shkundur Iranin, duke shpërthyer në një sfond të vështirësive ekonomike dhe shtypjes politike. Shtetet e Bashkuara kanë shprehur mbështetje për protestuesit, ndërsa tensionet mes dy vendeve janë rritur ndjeshëm.
Top Channel