Skandal në Itali, Gjykata Federale pezullon presidentin e shoqatës së arbitrave, ndërhynte në proçesverbale

12/01/2026 21:50

Futbolli italian është në kaos, pasi është mësuar se Gjykata Federale Kombëtare ka sanksionuar presidentin e Shoqatës Italiane të Gjyqtarëve (AIA), Antonio Zapi, me një pezullim 13 mujor.

Kaq kishte kërkuar prokurori federal sportiv dhe kërkesa e tij është miratuar plotësisht nga gjykata sportive. Prokurori kishte bërë kallëzimin në gjykatën sportive në Itali ndaj Zapi, me akuzën se ai kishte nxitur ish drejtuesit e departamenteve për Serinë C dhe D, Mauricio Çampi dhe Alesandro Pici, të jepnin dorëheqjen nga pozicionet e tyre përkatëse, siç ndodhi, duke u vendosur në postet e tyre përkatësisht Orsato dhe Braski.

E njëjta gjykatë ka sanksionuar edhe Emanuele Markezi, një anëtar të Komitetit Kombëtar të AIA-s, me një ndalim 2-mujor. Ai akuzohej për manipulim të procesverbaleve për të hequr çdo referencë për ndërhyrjen e Zapit në dorëheqjet e Çampit dhe Picit.

Zapi, i cili do të apelojë çështjen, tashmë pritet të shkarkohet nga posti i tij në një shoqatë e cila po përfshihet në skandale të njëpasnjëshme edhe jashtë fushave të lojës, përtej kontestimeve të vazhdueshme me të cilat po përballen gjyqtarët në thuajse të gjitha ndeshjet e Serisë A.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB