Juventus përfiton në maksimum nga frenimi i Interit, Milanit dhe Napolit në ndeshjet e tyre të javës së 20 dhe iu afrohet më shumë në klasifikim edhe pse këto 3 të fundit janë me një ndeshje më pak. Në Allianz Stadium, Zonja e Vjetër dhuroi spektakël në fushën e lojës teksa shkatërroi Cremonesen me rezultatin e thellë 5-0 duke u ngjitur në kuotën e 39 pikëve, po aq sa edhe Napoli e Roma dhe tani 5 skuadrat e para të Serie A ndahen nga vetëm 4 pikë.

Juventus e hapi festivalin e golave që në minutën e 12 kur Bremer shënoi golin që zhbllokoi rezultatin e sfidës për skuadrën e drejtuar nga Luciano Spalletti. Festa e këtij goli nuk ishte shuar mirë kur pas vetëm 3 minutash lojë Jonathan David dyfishoi shifrat në 2-0 me kanadezin që gjen rrugën e rrjetës për të dytën ndeshje radhazi.

Gjithcka u bë shumë e lehtë për bardhezinjtë që në minutën e 35 fituan një penallti, por Kenan Yildiz e shpërdoroi mundësinë e artë për të shënuar golin e tretë teksa gaboi nga pika e bardhë, pasi portieri i Cremoneses e priti gjuajtjen e tij, por  turku pas vetëm pak sekondash e korrigjoi gabimin e tij duke shënuar golin e tretë për Juventusin dhe pjesa e parë u mbyll me rezultatin 3-0 në favor të bardhezinjve.

Në pjesën e dytë, Juventus arriti të shënojë edhe 2 herë të tjera. Fillimisht ishte një autogol i Terraccianos që e coi rezultatin në 4-0 për bardhezinjtë ndëkohë që në minutën e 64 McKennie vulosi fitoren 5-0 për Juventusin që e sheh veten brenda zonës Champions por dhe me shpresën për të luftuar deri në fund edhe për titullin në Serie A.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB