Timothée Chalamet ishte ndër fituesit kryesorë të mbrëmjes, ndërsa yjet më të mëdhenj të Hollivudit u mblodhën për edicionin e 83-të të çmimeve Golden Globe.

Chalamet, 30 vjeç, vazhdoi rrugëtimin e tij drejt madhështisë dhe një çmimi Oscar, duke mposhtur yje si Leonardo DiCaprio dhe George Clooney për çmimin e aktorin më të mirë në një film muzikal ose komedi për rolin e tij në filmin me temë pingpongu, Marty Supreme.

Edhe pse DiCaprio nuk fitoi çmim individual, filmi i tij One Battle After Another dominoi mbrëmjen me katër çmime, përfshirë filmin më të mirë muzikal ose komedi dhe regjisorin më të mirë.

Aktorja irlandeze Jessie Buckley u shpall aktorja më e mirë në dramë për rolin e saj në Hamnet, film që fitoi gjithashtu çmimin surprizë për filmin më të mirë dramatik.


Ndërkohë, trilleri me vampirë Sinners, që konsiderohej favorit, u nderua me çmimin për arritjet në biletari dhe kolonën zanore më të mirë.
Golden Globes janë një ndalesë e rëndësishme në rrugën drejt Oscars. Fitues të tjerë të rëndësishëm të mbrëmjes përfshinin Teyana Taylor, Rose Byrne, Wagner Moura dhe Stellan Skarsgård.
Ndryshe nga Oscars, Golden Globes shpërblejnë edhe televizionin. Seriali i Netflix Adolescence pa aktorët britanikë Stephen Graham, Owen Cooper dhe Erin Doherty të merrnin disa çmime për performancat e tyre.

Fitorja e “ëmbël” e Timothée Chalamet

Chalamet, i cili mori nominimin e tij të pestë në Golden Globes, fitoi për herë të parë. “Jam në një kategori me shumë figura të shquara,” tha ai gjatë pranimit të çmimit.

Ai shtoi:“Babai im më mësoi të jem gjithmonë mirënjohës për atë që kam. Më ka lejuar të largohem nga kjo ceremoni në të kaluarën pa çmime, por me kokën lart. Por do të gënjeja nëse nuk do të thosha se kjo e bën këtë moment shumë më të ëmbël.”Ai falënderoi prindërit dhe partneren e tij, Kylie Jenner, e cila e priti brenda sallës edhe pse nuk e shoqëroi në tapetin e kuq.

Jessie Buckley: “Një nder i vërtetë”

Jessie Buckley fitoi çmimin për aktorja më e mirë për rolin në Hamnet, adaptim i romanit të Maggie O’Farrell mbi vdekjen e djalit të William Shakespeare.
“Kjo nuk është një situatë normale,” tha ajo. “Ne po tregonim historinë e ndoshta britanikut më të famshëm, me një regjisor kinez, shumë irlandezë dhe një ekip kryesisht polak.”
Regjisorja Chloe Zhao, dukshëm e emocionuar, pranoi çmimin për filmin më të mirë dramatik, ndërsa producenti Steven Spielberg tha se Zhao ishte “i vetmi regjisor në planet që mund ta tregonte këtë histori”.

Mesazhi i fortë i Teyana Taylor

Teyana Taylor fitoi çmimin për aktorja më e mirë mbështetëse për filmin One Battle After Another.
Në fjalimin e saj emocional ajo iu drejtua “motrave dhe vajzave të vogla me ngjyrë kafe”:
“Drita jonë nuk ka nevojë për leje për të shkëlqyer. Ne i përkasim çdo dhome ku hyjmë. Zërat tanë kanë rëndësi dhe ëndrrat tona meritojnë hapësirë.”

Fitues të tjerë

Stellan Skarsgård fitoi çmimin për aktorin më të mirë mbështetës për filmin Sentimental Value dhe bëri thirrje që filmat të shihen në kinema: “Kinemaja duhet të shihet në ekranin e madh.”
Rose Byrne fitoi çmimin për aktorja më e mirë në muzikal ose komedi për If I Had Legs I’d Kick You dhe falënderoi familjen dhe bashkëshortin e saj, Bobby Cannavale.
KPop Demon Hunters fitoi çmimin për filmin më të mirë të animuar dhe këngën më të mirë.
Filmi brazilian Agjenti Sekret u shpall filmi më i mirë ndërkombëtar, ndërsa Wagner Moura fitoi çmimin për aktorin më të mirë në dramë.
Paul Thomas Anderson fitoi çmimet për regjisorin dhe skenarin më të mirë për One Battle After Another.

Televizioni dhe yjet e rinj

16-vjeçari Owen Cooper fitoi çmimin për aktorin më të mirë mbështetës në televizion për serialin Adolescence.
Seth Rogen fitoi çmimin për aktorin më të mirë në komedi televizive për The Studio.
Fitues të tjerë televizivë përfshinin Jean Smart (Hacks), Noah Wyle (The Pitt) dhe Michelle Williams (Dying for Sex).
Çmimi i parë për podkastin më të mirë shkoi për Amy Poehler për Good Hang with Amy Poehler.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB