Nuk ka ende një bilanc nga dalja e lumit Seman në zonën e Mbrostarit, zona më e prekur nga dalja nga shtrati e lumit, por duket se do të jetë i lartë, jo vetëm në tokat bujqësore të fermerëve, tek blegtorët por dhe ekonomitë e tyre përsa i përket dëmeve të bazës ushqimore të bagëtive, por edhe të vetë bagëtive të mbytura, si të imëta, dele, por edhe shpendë në pularitë e përmbytura brenda argjinaturës.
Ndërkohë nën pushtetin e ujit janë edhe banesa por edhe lokale, ndërsa e njëjta situatë paraqitet edhe në zonat e tjera të përmbytura nga Semani si Grecalli, Mujalli, Beline dhe Petovë, raporton korrespondenti i Top Channel Neritan Trifoni.
Për këtë arsye ekipet e Bordit të Kullimit janë në monitorim të plotë përgjatë argjinaturës për të ndërhyrë në riparimin e saj nëse do të jetë e nevojshme.
Gjithashtu nga dalja e lumit Seman, dëme kanë pësuar edhe disa biznese ndërtimi ku gjithë ambientet e punës së tyre janë të përmbytura.
Top Channel