Shkurtë Mani e la banesën për të shpëtuar veten dhe bashkëshortin e sëmurë nga mbytja. Gati një javë pas evakuimit në kavalishencë rikthehet e shqetësuar në shtëpinë e përmbytur në Vadardhë të Sukthit.
“Bobo si është bërë! Më mirë të na kishte mbytur fare se kështu. Unë me 200 mijë lek pension, ku të shkoj?!”, shprehet qytetarja Shkurtë Mani.
Pensionistja qëndron e drobitur mes baltës. E pashpresë dhe e përlotur numëron dëmet e objekteve shtëpiake.
“Mundi i gjithë jetës ja iku. I mori uji. Soba është prishur, lavatricja është prish, frigoriferi po, rrobat janë kalbur”, shton ajo.
Ajo kujton momentet e para të shpërthimit të ujit brenda banesës dhe është në pritje të dëmshpërblimit për të nisur rregullimet që shtëpia të bëhet sërish e jetueshme.
“Dysheku akoma i lagur. Uji arriti deri te krevati. Erdhi sikur futet Arusha brenda, në sekondë. Nuk e di çdo bëj”, tha më tej e moshuara.
Në ditën e gjashtë të përmbytjeve raportohet se në Sukth rreth 1800 hektarë tokë janë nën pushtetin e ujit. Dhe në këtë segment rrugor, te kthesa e Perlatit, zona është e bllokuar, për shkak të daljes së lumit Erzen nga shtrati dhe ende ka ujë në rrugë.
“6 ditë jemi të mbyllur këtu. Hamallaj, rrushkull kalon këtu. Për 100 metra vend, mbahet populli i izoluar”, thotë banori i zonës.
“Paska shumë ujë këtu. Nga duhet ti dalim se po shkojmë për vdekje”, shprehet një shofer.
“Na ka mbuluar gjithë uji, ska pyetur njeri a jemi gjallë a jemi vdekur. Kurrkush!”, shton ai.
Uji ka filluar të tërhiqet, por ende tokat ngjajnë si liqen dhe shtëpitë janë të izoluara. Por ndonëse reshjet këtu kanë përfunduar, kanë mbetur lotët e banorëve të cilët kanë dëme të shumta materiale!
Top Channel