Nga Kurbini, Ervin Hysaj prej tre vitesh po qëndron në kryeqytet, sepse vendosi të nis universitetin në moshën 35 vjeçare.
“Tani jam 37 vjeç, vazhdoj vitin e III në gjuhë letërsi”, shprehet Ervin Hysaj.
Në auditor është pritur mirë, megjithëse fillimi në Fakultet në Tiranë e ka hasur me sy gjykues.
“Fakti që unë në moshë të madhe ju ktheva shkollës nuk ndodh shpesh. Me të rinjtë jam përshtatur, unë si natyrë kam një adoleshencë brenda vetes. Rinia është paragjykuese, mendoj, por unë jam bërë pjesë e tyre”, shton ai.
Fëmijërinë e ka kaluar në fshat, ku vështirësitë ekonomike i kanë ndërprerë arsimimin; megjithëse që i vogël ai ka qenë shumë i lidhur me librat.
Më tej ai shprehet: “E doja shkollën, nuk është se nuk e doja. Por shumë gjëra u bënë pengesë sa edhe gjimnazin e mbarova me vonesë, part time. Nuk ishin mundësitë, duhet të punoja. Duke qënë në fshat, bujqësia është pjesë e jetës. Vitet e fundit edhe udhëtova pak në Zvicër, pastronim banesat me themel për të bërë ndonjë lekë. Kurseva pak edhe arrita në këtë pikë, i përqendruar te shkolla”.
37 vjeçari ka bindjen se universiteti do i hap shumë dyer.
“Letërsia do jetë pjesë edhe e jetës sime edhe e punës sime. Mendoj që kur ta përfundoj shkollën do kem një punë ose në zyrë ose mësuesi. Pavarësisht se jam i vonuar në shkollë, kam pasur mësues thellë në vete që i kam pasur idhuj”, thotë Hysaj.
Ervini shkruan dhe lexon, e madje edhe ka botuar në emrin e tij. Me mbarimin e Fakultetit beson te një e ardhme më e mirë. Ndaj me shembullin e tij, ka një këshillë për të rinjtë.
“Rinia të lexojë sa më shumë”, përfundon 37-vjeçari.
Top Channel