Zbardhen dhe dokumentohen 5 raste të vjedhjes së banesave në qytet, kapet dhe vihet në pranga autori i dyshuar i tyre, i dënuar më parë për të njëjtën veprimtari.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Korçë, në vijim të punës për parandalimin e vjedhjeve, zbardhjen e atyre të ndodhura më parë dhe vënien e autorëve përpara përgjegjësisë ligjore, pas një pune të mirëfilltë hetimore, identifikuan, kapën dhe arrestuan në flagrancë shtetasin:
E. B., 38 vjeç, banues në Korçë, i dënuar më parë për vjedhje.
Nga veprimet hetimore dyshohet se ky shtetas është autori i dyshuar i vjedhjes së banesës së shtetasit Gj. M. (rezident në Greqi), ngjarje e ndodhur më datë 10.01.2026, në lagjen nr. 3, Korçë, ku janë vjedhur sende të ndryshme.
Gjithashtu, nga hetimet e mëtejshme rezulton se ky shtetas dyshohet se ka kryer edhe 4 vjedhje të tjera në qytetin e Korçës, të ndodhura në datat 28.09.2024; 20.03.2025; 06.01.2026 dhe 01.01.2026, ku ka marrë bizhuteri, lekë, orendi e sende të tjera me vlerë.
Vijon puna për dokumentimin e plotë të ngjarjeve të lartpërmendura, ngjarjeve të tjera në të cilat mund të jetë implikuar dhe bashkëpunëtorëve të dyshuar të tij.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Korçës, për veprime të mëtejshme.
Top Channel